Jahjaga takon Papa Françeskun: Synimi ynë, jetesa në paqe e liri

21/01/2015 00:00

Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u prit këtë të mërkurë në selinë e shenjtë të Vatikanit, në audiencë private nga shenjtëria e tij, Papa Françesku.

Në një takim që zgjati mbi 40 minuta dhe që ishte shumë i përzemërt, presidentja Jahjaga i shprehu Papa Françeskut mirënjohjen për pritjen, duke e vlerësuar si një gjest të besimit dhe të njohjes së përpjekjeve të Kosovës për të forcuar harmoninë ndërfetare, si dhe të ambicieve për të jetuar në paqe dhe liri.

Jahjaga gjithashtu i shprehu mirënjohjen e saj atit të shenjtë për porositë e tij për shpresë dhe gjithëpërfshirje dhe e vlerësoi rolin mbështetës të Vatikanit për Kosovën në periudhat e rënda të historisë së saj.

Ajo tha se në rrugën e saj të vështirë, Kosova ka qenë e inspiruar nga udhëzimet e Papa Gjon Palit II dhe durimi dhe humaniteti i Nënë Terezës.

Jahjaga tha se, Kosova sot, një shtet i ri në Evropë, ka kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit dhe të spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive.

Ajo shtoi se Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës dhe tha se shpreson që edhe Selia e Shenjtë do të vendosë që ta mbështesë vizionin e një Kosove të pavarur dhe demokratike.

Top Channel