Ja kostot e jetesës nëpër vende të ndryshme të botës

21/01/2015 00:00

Kostoja e jetesës është diçka për të cilën mendojnë të gjithë, herë pas here duke bërë edhe llogarinë e zgjedhjes së vendit të përshtatshëm dhe më ekonomik.

Një studim grafik i publikuar fillimisht nga një faqe interneti e të huajve, “MoveHub”, mbi aspekte të ndryshme si vendet më të lira e më të shtrenja për të jetuar mes 119 shteteve, me çmime të marra në krahasim me ato të Nju Jorkut, por pa përfshirë shërbimet thelbësore si strehimi, veshja dhe edukimi, ka renditur shtetet në bazë të kostos së jetesës.

Me ngjyrat blu dhe kafe të errët, kjo hartë tregon vendet më të shtrenjta të botës, të cilat ofrojnë gjithashtu edhe një cilësi më të mirë jetese. Mes vendeve të para me indeksin më të lartë të çmimeve në çdo shërbim janë Zvicra, Norvegjia, Venezuela, Islanda dhe Danimarka. Njëkohësisht këto janë edhe shtetet më pak të ndotur, me shërbimin shëndetësor më të mirë, si dhe kriminalitetin më të ulët.

Në fakt, nëse një vend ka një indeks të çmimeve të konsumit prej 70, kjo do të thotë se jetesa është 30 përqind më e lirë mesatarisht krahasuar me atë në Nju Jork. Në anën tjetër, nëse një vend ka një indeks të çmimeve të konsumit prej 120, kjo do të thotë se jetesa është rreth 20 përqind më e shtrenjtë.

Shtetet e cilësuara me koston më të ulët të jetesës janë India, Nepali, Pakistani, Tunizia dhe Algjeria. Ndër vendet e lira konsiderohen edhe Egjipti, Maroku, Kolumbia dhe Filipinet. Ndërsa përsa i përket vendit më të mirë për të dalë në pension, ai është cilësuar Tajlanda, për shkakun kryesor të klimës së përshtatshme ekzotike.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel