Gjermani, udhëheqësi i PEGIDA-s jep dorëheqjen, pozoi si Hitleri. Prokuroria nis hetimet

21/01/2015 00:00

Udhëheqësi i lëvizjes kundër islamizimit të Europës në Gjermani, PEGIDA, ka dhënë dorëheqjen gjatë së mërkurës, pas publikimit të një fotoje të tijën duke pozuar si Hitleri nëpër mediat e shkruara, gjë që detyroi prokurorët të nisnin hetime ndaj tij për nxitje të urrejtjes. Ka pasur gjithashtu edhe raporte se Luz Bachman i kishte quajtur refugjatët gjatë komenteve të tij si “persona të përbuzshëm dhe të pakëndshëm”.

“Po, mund të konfirmoj se Lutz Bachmann ka ofruar dorëheqjen e tij dhe ajo është pranuar”, tha një tjetër bashkëthemeluese e PEGIDA-s, Kathrin Oertel, e cila shtoi se “PEGIDA do të vazhdojë përpara”. Dorëheqja e Lutz erdhi në një moment kur njerëzit përkrahës të kësaj lëvizjeje ishin mbledhur në qytetin lindor të Lajpcigut, në mitingun e radhës të lëvizjes, që gjatë konsiderohet si “Patriotët Europianë Kundër Islamizimit të Europës”.

Bachmann, një hajdut i dënuar më parë 41-vjeçar, ka kërkuar falje për komentet e tij “të konsideruara të sëmura”, duke mohuar të jetë racist. Ndërkohë, një zëdhënëse e PEGIDA-s u përpoq ta mohonte foton e “Hitlerit”, duke e konsideruar thjesht si një “shaka”, e megjithatë qeveria gjermane ka reaguar duke e dënuar atë. Fotoja doli në faqen e parë të së përditshmes gjermane më të shitur, “Bild”, ku shfaqej Bachmann me mustaqet dhe flokët si të Hitlerit.

Zëvendëskancelari, Sigmar Gabriel, tha për “Bild” se “kushdo në politikë që pozon si Hitleri, ose është tërësisht idiot, ose është nazist. Njerëzit e arsyeshëm nuk mund të ndjekin idiotët, ndërsa njerëzit e mirë nuk mund t’i bashkëngjiten nazistëve”.

PEGIDA ktheu fokusin nga Lajpcigu, pasi policia ndaloi një protestë të kësaj lëvizjeje në Dresden gjatë së hënës, pas raportimeve për një komplot vdekjeprurës kundër udhëheqësve të kësaj lëvizjeje.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel