Ukrainë, mortaja autobusit në Donjeck, 13 viktima

22/01/2015 00:00

Një ditë pasi Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, iu drejtua të pranishmëve në Forumin Ekonomik të Davosit me fjalët se në vendin e tij ndodhen 9.000 trupa ruse dhe se një situatë e tillë nuk mund të përkufizohet ndryshe veçse si “agresion”, goditja me mortaja e një autobusi në Donjeck mori 13 jetë njerëzish.

Sipas zyrtarëve lokalë të qytetit lindor ukrainas, të kontrolluar nga rebelët prorusë, viktimat përfshijnë pasagjerë të autobusit dhe persona që udhëtonin në një makinë të vogël pranë tij.

Incidenti vjen pak pas apeleve të përbashkëta të Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë për fundin e luftimeve. Por shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, këmbëngul se është Kievi, ai që duhet të tërheqë armatimet e rënda nga zonat e konfliktit përpara se të mendohet për rezultate nga bisedimet e paqes.

“Mendimi ynë është se po pati progres në ndalimin e konfliktit të armatosur, në ndalimin e shkëmbimit të zjarrit, ndalimin e bombardimit të qyteteve ku vriten civilë, sidomos në Donjeck por edhe në pjesë të tjera të rajonit, nëse ka progres në heqjen e artilerisë së rëndë, atëherë samiti në Astana do të ketë shanse për sukses”, tha Sergei Lavrov, ministër i Jashtëm i Rusisë.

Mbi 4.800 vetë janë vrarë dhe 1,2 milionë janë shpërngulur që kur separatistët mbështetës të Moskës morën nën kontroll pjesë të tëra të rajoneve të Donjeckut e Luhanskut në muajin prill. Lëvizja rebele pasoi aneksimin e gadishullit të Krimesë nga Rusia në muajin mars.

Edhe pse Lavrov i hedh poshtë akuzat e Kievit, se Rusia ka dërguar trupa të reja dhe armatime këtë javë në vendin fqinj, Presidenti ukrainas dha shifra në mbështetje të pretendimeve të tij. Sipas Poroshenkos, Moska ka nisur 500 tanke, artileri të rëndë dhe automjete të blinduara për personelin në Ukrainën Lindore.

Kreu i shtetit ukrainas i kërkoi Rusisë që të mbyllë kufirin e të tërheqë menjëherë të gjitha ato që ai i përshkroi si “trupa të huaja”.

Top Channel