Shembet muri antik në Butrint, duhet ndërhyrje emergjente

22/01/2015 00:00

Pas shembjes së një muri antik të periudhës romake në Butrint, Parku
Kombëtar i Butrintit ka bërë me dije nevojën e ndërhyrjes emergjente në
shumë mure dhe struktura antike të cilat kanë nevojë për stabilizim dhe
ruajtje.

Muri i ndërtuar mes shek. I –II te E.S ka pësuar ndërhyrje stabilizuese në Mesjetë. Arsyet e tjera të shembjes të renditura nga specialistët ishin reshjet e shumta të shiut, lagështia që kishte depërtuar murin, si dhe bimësia e pakontrolluar në pjesën e sipërme të tij.

Muri kufizon Portën e Liqenit në anën Jugore dhe ka një gjatësi prej 10 metrash.

Sipas kreut të Parkut të Butrintit, Gjergji Mano stabilizimi i dy pjesëve të veçuara të murit pas shembjes do të realizohet me shpejtësi për të evituar çdo mundësi për një shembje të re.

Ndërkaq Parku Kombëtar i Butrinit pret miratimin prej bordit drejtues të një sërë projektesh që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen në park.

Parku ndjen nevojën e më shumë specialistëve dhe rihartimin e planeve afatgjatë për të mbështetur nevojat e tij. Aktualisht mungon inxhinieri dhe arkitekti, ndërsa plani i menaxhimit mjedisor përfundon këtë vit.

Butrinti është vendi arkeologjik më i rëndësishëm në Shqipëri për nga niveli i gërmimeve, numri i vizitorëve dhe evidentimi i jetës në të gjitha periudhat. Parku është pasuri e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO që prej vitit 1992.

Top Channel