Gruaja denoncon burrin për dhunë, policia i gjen në banesë arsenal armësh

22/01/2015 00:00

Një 42-vjeçar nga komuna Suç e Matit, është denoncuar për dhunë nga
bashkëshortja dhe gjatë kontrollit në banesë policia i gjen arsenal
armësh.

Burimet zyrtare bëjnë me dije se ka vënë në pranga 42-vjeçarin, Hazbi Kutagja. Mbrëmjen e së mërkurës I., Kutagja ka telefonuar për ndihmë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Mat.

Ajo ka thënë se jeta po i vihej në rrezik nga bashkëshorti. Pas marrjes së saktë të adresës, në banesën e çiftit ka shkuar një patrullë policie duke arrestuar në flagrancë dhunuesin. Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë grupi hetimor ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike dhe një sasi të konsiderueshme armësh e municionesh luftarake, të cilat më pas janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Në mesin arsenalit të armëve dhe municioneve luftarake janë gjetur një automatik, dy pushka, rreth 200 fishkë të modeleve të ndryshme, granata dore, ndezës granatash, kapsolla elektrike, tritol, e fitil zjarr-përcjellës. Ndaj Hazbi Kutagjës rëndon akuza e dhunës në familjes, mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe vjedhje të energjisë elektrike.

Top Channel