“Vejusha” e kokainës, jetë në tri shtete

22/01/2015 00:00

Një nga femrat më të kërkuara në Shqipëri është Pranvera
Eberling, e cilësuar si “vejusha” e kokainës së Xibrakës. Prokuroria po
e kërkon për të zbërthyer trafikun e drogës nga Shqipëria në Gjermani,
ku dyshohet se Pranvera ishte edhe korriere, madje kishte lidhje
dashurie me Ilir Hysenin, i arrestuar pak ditë më parë në Shqipëri.

Ajo është mbajtur në vëzhgim nga data 14 dhjetor deri në datë 17 dhjetor, ditë kur është larguar nga Shqipëria. Ditën që është larguar, autoritetet gjermane kanë sjellë në Shqipëri materialin për këtë trafik, ku hetimet njëmujore sollën nëntë të arrestuar dhe disa të tjerë të shpallur në kërkim. Po kush është “vejusha”, e shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ajo gjermane?

Jeta në tri shtete

Prokuroria thotë se Pranvera Ebeling është me origjinë nga Shqipëria. Ajo ka pasaportë gjermane, ndërsa mbiemri i vajzërisë është Aga. Ajo akuzohet se do të transportonte në Gjermani kokainën e prodhuar në laboratorin e Xibrakës në Elbasan. Kohët e fundit, sipas të dhënave nga akuza, ajo bashkëjetonte me kreun e rrjetit të trafikut të kokainës, Ilir Hyseni. Ky i fundit është i divorcuar, po ashtu edhe Pranvera.

Sipas të dhënave, Pranvera jetonte bashkë me vajzën e saj në qytetin e Pegestorf Holzminden në Gjermani. Mësohet se 40-vjeçarja ka edhe dy djem, njëri jeton në Itali dhe tjetri në Francë.

Prokuroria thotë se Pranvera jetonte kryesisht në Gjermani, por lëvizte edhe në Shqipëri e Itali. Ajo ka pasur lëvizje edhe në Itali, ku banon i biri, ndërsa dyshohet se Italia është “rrugë” e trafikimit të kokainës në vendet e tjera perëndimore.

Pranvera ka qenë në survejim nga ana e autoriteteve gjermane, të cilat kanë kërkuar ndihmë nga Italia e Shqipëria. Madje, në Shqipëri ka hyrë për herë të fundit në datë 14 dhjetor 2014, për të dalë disa ditë më pas.

Të arrestuarit e tjerë

Prokuroria thotë se ka kërkuar dëshminë e nëntë të arrestuarve, ku vetëm dy kolumbianët dhanë disa informacione për punën që bënin. Prokuroria thotë se nuk i ka marrë të mirëqena këto rrëfime, pasi kanë kontradikta, ndërsa u ka shkuar në qeli edhe të arrestuarve të tjerë. Mësohet se shtatë të arrestuarit shqiptarë gjatë operacionit “Xibraku”, nuk pranuan të flasin apo të bashkëpunojë me prokurorinë. Akuza u ka kërkuar këtyre të arrestuarve që të bashkëpunojnë, me qëllim zbërthimin e të gjithë grupit, por asnjë prej tyre nuk ka pranuar. Në lidhje me zbardhjen e grupit, akuza thotë se shpreson te “bashkëpunimi” me kolumbianët, pasi ata kanë qenë të vetmit që kanë rrëfyer disa detaje.

Kërkesat në Apel

Disa nga avokatët e nëntë të arrestuarve kanë dorëzuar ankimin në Gjykatën e Apelit për krime të rënda, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të arrestit me burg për të dyshuarit e arrestuar pasditen e datës 14 janar në Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, ka kërkuar në gjykatë ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Sipas pretendimeve të avokatëve të Hoxhës, klienti i tyre ka qenë në vendin e gabuar dhe në momentin e gabuar kur ka transportuar në cilësinë e taksistit, dy shtetasit kolumbianë. Avokatët gjithashtu pretendojnë se arrestimi në kushtet e flagrancës duhet të cilësohet i paligjshëm, pasi Hoxha nuk ka qenë as në Xibrakë, as në laborator dhe me ndonjë prej anëtarëve të këtij grupi narkotrafikësh, por është kapur në banesën e vjehrrës së tij në Durrës. Sipas tyre, në këto kushte nuk plotësohet flagranca dhe për pasojë, arrestimi i Ermal Hoxhës është i paligjshëm.

Top Channel