Minatorët e Trepçës pezullojnë përkohësisht grevën

22/01/2015 00:00

Minatorët e Trepçës kanë vendosur ta pezullojnë përkohësisht grevën e nisur dy ditë parë dhe nga e premtja t’i rikthehen punës. Në orët e pasdites së të enjteës ata kanë nisur të dalin nga nëntoka.

Zëdhënësi i Kombinatit Trepça, Musa Mustafa ka thënë përmes telefonit për Top Channel se minatorët nuk kanë hequr dorë nga greva, por vetëm e kane pezulluar atë, për t’i dhënë një shans qeverisë që të përmbushë premtimet dhe detyrimet që ka marrë përsipër.

Sipas Mustafës, minatorët janë të pakënaqur me letrën e kryeministrit dhe tani kanë disa kushte shtesë për qeverinë.

I pari, sipas zëdhënësit, është që pronësia e Trepçës të mos negociohet me askënd dhe për asnjë çmim, ndërsa kushti i dytë është që qeveria t’i raportojë çdo muaj sindikatës së puntorëve për punën që bën për hartimin e legjislacionit përkatës për Trepçën.

“Nëse sindikata vëren ngecje të punës së qeverisë për Trepçën, atëherë greva do të rifillojë”, ka deklaruar zëdhënësi. 

Edhe kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili qëndroi disa orë me minatorët, i luti institucionet qendrore që të plotësojnë kërkesat e minatorëve.

“I kam lutur të gjitha institucionet e Kosovës që të marrin seriozisht apelin tim personal dhe të minatorëve, që të gjejnë një zgjidhje për Trepçën sepse gjendja është shumë e rëndë”, deklaroi Bahtiri.

Minatorët grevistë të enjten morën mbështetje edhe nga rreth 2.800 pensionistë të parakohshëm të Trepçës, të cilët shprehën gatishmërinë për t’u futur në galeritë e minierës, por nuk u lejuan.

Në mbështetje të grevistëve në Trepçë të enjten dolën edhe disa nxënës nga shkolla fillore “Aziz Sylejmani”, në pjesën veriore të Mitrovicës, bashkë me mësuesen e tyre Hateme Bellipoja.

Mësuesja dhe nxënësit e saj, të cilët kishin prindërit në grevë, kërkuan që të hynin në horizontin e tetë ku po mbahej greva për t’u dhënë mbështetje minatorëve, për të cilët klishin përgatitur edhe një vjershë. 

Top Channel