Fleckenstein: Drejtësi për 21 janarin. Zvarritja e çështjes, e çuditshme

22/01/2015 00:00

Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, në një intervistë për Top Channel komenton si të çuditshëm faktin që ende pas 4 vitesh drejtësia nuk ka përfunduar punën me çështjen e 21 janarit. Ai thotë se qeveria, Prokuroria dhe aktorët e tjerë do të na sigurojnë jo vetëm me fjalët për drejtësi, por tashmë edhe me fakte.

TCH: Z. Fleckenstein, familjarët e Aleks Nikës që ju takuat së fundmi në Tiranë kërkojnë drejtësi që prej protestës së thirrur kundër korrupsionit, siç theksoi Rajmonda në letrën ndaj jush, çfarë i premtuat ju?
 
Knut Fleckenstein: Unë premtova se do vëzhgoj nga afër me mjaft kujdes se si do të ecin gjërat. Por, e pritshme është që të jepet drejtësia për familjarët e tyre. Pas 4 vjetësh, ende 3 raste janë në pritje para Gjykatës së Lartë dhe një ende nën hetimin të Prokurorisë. Kjo ngjan disi e çuditshme, shumë e çuditshme në këndvështrimin e Brukselit. Unë shpresoj me të vertetë se qeveria, Prokuroria dhe aktorët e tjerë do të na sigurojnë, jo vetëm me fjalët për drejtësi, por tashmë me fakte.
 
TCH:
Qeveria shqiptare njohu përmes pensioneve të posaçme ndaj familjarëve të viktimave krimin shtetëror ndaj tyre 4 vjet më parë. A përfshin ndihma juaj për dekriminalizimin, një çështje e ndjeshme e opozitës për arritjen e marrëveshjes politike, edhe shqyrtimin e deputetëve të sotëm përgjegjës, sipas familjarëve, për 21 Janarin 2011?
 
Knut Fleckenstein:
Nuk jam gjykatës dhe as shtetas në Shqipëri. Kështu që nuk më takon mua të gjykoj se kush është fajtori, e cili duhet dërguar para gjykatës. Kjo i takon Shqipërisë. Ajo që unë dua është që familjarët të kenë ndjeshmërinë se po trajtohet seriozisht kjo çështje, duke u dhënë atyre në njëfarë mënyre drejtësi. Së dyti, e çmoj vërtet këtë njoftim të kryeministrit Edi Rama për pensionet e familjarëve, por kjo është vetëm një pjesë e historisë. E mirë, por e pjesshme. Ajo që ju e quani “dekriminalizim” është një çështje tjetër e për ne, më e përgjithshme. Si të trajtohen në parlament, në administratë, në pozita të ndryshme të rëndësishme të shërbimit civil, personat me të dhëna penale në të shkuarën. Ne u premtuam kolegëve shqiptarë se do t’u tregonim si funksionon kjo praktikë në vendet e Bashkimit Europian. Janë pak të ndryshme, por mjaft të ngjashme në të gjitha shtetet dhe ata mund të zgjedhin modelin që u përshtatet më mirë sipas realitetit shqiptar.
 
TCH: A do të përfshiheni sërish me politikanët shqiptarë për të zgjidhur shqetësimet e tyre, apo vetëm si raportues i PE-së?
 
Knut Fleckenstein: Unë do ndjek si raportues. Jo vetëm për këtë rast, por as për të tjera nuk ka automatikisht ardhje në Tiranë për të gjetur zgjidhjen e problemit. Mendoj se asnjëra palë nuk ka nevojë për dado. Ata janë parlamentarë të votuar nga populli dhe tashmë ata duhet të marrin përgjegjësitë përsipër e t’i trajtojnë çështjet në mënyrë konstruktive e të ndershme.
 
TCH: A ndani mendimin e mediatorit tjetër nga PPE, Kukan, se nëse dialogu politik funksionon në Shqipëri gjatë 2-3 muajve të ardhshëm, ka shanse që BE-ja të nisë negociatat e anëtarësimit para fundvitit me Shqipërinë?
 
Knut Fleckenstein: Unë shpresoj të jetë kështu. Por, nuk mund t’ju them nëse kjo mund të ndodhë në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër. Shpresoj kështu. Nëse gjithçka shkon mbarë dhe reformat ecin, ky parlament do ta mbështesë nisjen e negociatave. Por, të dy e dimë se në fund Këshilli thotë fjalën e fundit, ndaj nuk do të ishte serioze t’ua premtoja këtë. E sigurtë është që ne do e mbështesim.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel