Koalicioni anti-ISIS, takohen ministrat e jashtëm të 22 vendeve në Londër

22/01/2015 00:00

Londra është mikpritësja e bisedimeve të koalicionit anti-ISIS, ku ministrat e jashtëm të 22 vendeve përgatiten të shqyrtojnë mënyrat e koordinimit të përpjekjeve në përballjen me xhihadistët e shtetit islamik. Qindra sulme ajrore janë ndërmarrë nga forcat aleate në Siri e Irak që prej muajit gusht, por shefi i diplomacisë britanike Philip Hammond këmbëngul se fushata ajrore duhet intensifikuar.

“Vendet e koalicionit duan të gjejnë rrugët për ndalimin e fluksit të rekrutëve të ISIS-it, bllokimin e financimit të tij e do të shikojnë edhe mundësinë e shtimit të asistencës ushtarake për ata që luftojnë militantët në terren. Në diskutim do të jetë gjithashtu edhe ndihma humanitare për banorët e kthyer në viktima të ISIS-it. Ne po punojmë për trajnimin e forcave irakiane të sigurisë në mënyrë që të jenë të gatshme për një ofensivë tokësore kundër xhihadistëve. Megjithatë, do të duhen muaj të tëra derisa ato të jenë gati për operacione të rëndësishme luftarake”, u shpreh Hammond.

Sulmet e fundit të militantëve islamikë në Francë e kanë shtuar presionin politik mbi qeveritë e vendeve në fjalë për rezultate bindëse në betejën kundër ISIS-it. Përpara se të largohej nga Uashingtoni për të drejtuar samitin e sotëm bashkë me homologun Hammond, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, deklaroi se ekstremistët kanë shpresuar që goditja të tilla ta përçajnë koalicionin ndërkombëtar, por veprimet  e tyre, theksoi Kerry, patën efektin e kundërt.

Na kanë afruar edhe më shumë me njëri-tjetrin e kanë shtuar vendosmërinë tonë për ta çuar deri në fund detyrën e marrë përsipër, shtoi kryediplomati amerikan. Një zyrtar i lartë i departamentit të shtetit sqaroi për BBC-në se luftëtarët e huaj do të jenë “fokusi i vërtetë” i konferencës së Londrës dhe se do të krijohet një grup ekspertësh i cili do të përqendrohet tek shkëmbimi i informacioneve me qëllimin t’iu ndalojë këtyre individëve udhëtimin.

Nga përllogaritjet e Agjensisë Policore Europiane, Europol, gati 5.000 qytetarë të BE-së janë larguar drejt Sirisë e Irakut për të luftuar në krah të xhihadistëve e me mijëra të tjerë kanë udhëtuar drejt këtyre vendeve nga shtetet arabe e ato me shumicë myslimane.

Top Channel