Çmimi i naftës, Rama e Basha replika në rrjetet sociale

22/01/2015 00:00

Në debatet e ditëve të fundit për çmimin e naftës në Shqipëri është
përfshirë edhe kryeministri Edi Rama, i cili ka reaguar nëpërmjet një postimi në
Facebook.

“Askush nuk po thotë që çmimin e uli qeveria, por vetëm
që çmimi nuk u rrit po u ul dhe ky është fakt! Pra, sot naftën në Shqipëri e paguajmë 20 për qind më pak se një vit më parë”, ka thënë Rama.

Krahasimet me Gjermaninë, me Anglinë dhe me ekonomitë e forta të Europës, shefi i qeverisë ia ka lënë atyre që ikën nga pushteti. “Kush bën të tilla krahasime nuk do që të kuptojë se ekonomia shqiptare sapo ka nisur të dalë nga gropa e madhe e para një viti dhe nuk mund të rimëkëmbet siç duam, përveçse me kontributin e të gjithëve”, ka theksuar Rama.

Kjo qeveri – ka shtuar ai në fund të komentit – është krijuar për të bërë shtet, për të siguruar që të gjithë respektojnë ligjin dhe paguajnë detyrimet e tyre, ashtu siç u takon; që nga dritat deri tek taksat sipas të ardhurave që kanë. “Të tjerat janë politikë e vjetër ose muhabete që s’na nxjerrin asgjëkundi”, ka vijuar ai.

Ndërsa në reagimin e tij, kreu i opozitës Lulzim Basha i ka quajtur deklaratat e Ramës si mashtrim dhe propagandë pasi shqiptarët po i provojnë në kurriz bëmat e tij.

“Kryeministri Rama premtoi ulje të çmimit të energjisë por e rriti; premtoi ulje dhe subvencionim për naftën, por e rriti në nivelin më të lartë në Ballkan dhe Europë”, ka thënë Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike ka ftuar qyetetarët që të hënën, në ora 11.00 të bashkohen në protestën e madhe qytetare duke ndalur 5 minuta qarkullimin në të gjithë vendin.

Ndërkohë që për këtë çështje ka pasur reagime dhe nga selitë e dy partive, me anë të deputetëve Voltana Ademi dhe Ervin Bushati.

“Nuk mund të pranohet që shqiptarët të jenë delja e zezë e Evropës dhe rajonit me çmimin më të lartë të naftës, vetëm sepse Edi Rama ka vendosur taksën e tij”, deklaroi Ademi nga selia blu.

“Në 8 vjet PD nuk pyeti njëherë të vetme pse shqiptarët kanë paguar më shumë se të tjerët çmimin e naftës. Tani çmimi i naftës ka rënë në 65 lekë për litër. PD është e fundit që duhet të flasë për këtë çështje”, tha nga ana tjetër Bushati.

Top Channel