Kodheli në Maqedoni: Angazhim më serioz për Marrëveshjen e Ohrit

22/01/2015 00:00

Pas kryeparlamentarit shqiptar, Ilir Meta, angazhim më serioz për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit nga Shkupi ka kërkuar edhe ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

Ajo ka shfrytëzuar vizitën e saj në Maqedoni, edhe për të inkurajuar autoritetet maqedonase për angazhim më të madh në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit për anëtarësim në NATO.

“Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe uron që vendi ynë fqinj, shumë shpejt të bëhet anëtar me të drejta të plota i saj. Urojmë gjithashtu që problemi i emrit të zgjidhet, si dhe të ketë një angazhim serioz dhe real nga ana e Maqedonisë për implementimin e MO-së, fakt ky i nënvizuar edhe në deklaratën e Samitit të Uellsit, në shtator të vitit të kaluar”, tha Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes në Shqipëri.

Nga ana e tij, ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Jolevski, ka thënë se Maqedonia meriton të jetë pjesë e NATO-s dhe se arsyeja e vetme për mosanëtarësimin e saj mbetet problemi me Greqinë, në lidhje me emrin e shtetit.

“Siç e dini, Republika e Maqedonisë i ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim në NATO, megjithatë për shkaqe të njohura nuk e morëm ftesën. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona dhe me prezantimin e argumenteve, përse Maqedonia duhet të ftohet në aleancë. Vlerësojmë se zgjerimi i aleancës në Evropën Juglindore, përfshirë edhe Ballkanin, paraqet përforcim të stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, tha Zoran Jolevski, ministër i Mbrojtjes në Maqedoni.

Me zyrtarët maqedonas, zonja Kodheli ka biseduar edhe për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në sferën e mbrojtjes.

Top Channel