Qeveria jep fondin për ndërtimin e rrugës së fshatit të tolerancës, Malbardhë

22/01/2015 00:00

Duke iu përgjigjur apelit të banorëve përmes reportazhit të Top Channel, për fshatin Malbardhë dhe mesazhit të rrallë që vjen prej tij – atë të ndërtimit të kishës me kontributin edhe të banorëve të besimit musliman që janë shumicë në të, – qeveria shqiptare ka akorduar fondin për ndërtimin e rrugës që të çon në këtë komunitet, i cili është bërë tashmë simboli i shprehjes së tolerancës fetare.

Kjo temë, edhe e Galase së Top Channel në fundvit gjithashtu, merr një vlerë të shtuar pas ngjarjeve të Parisit. Në këtë kontekst, fondi prej 400 milionë lekësh të vjetra për ndërtimin e rrugës, që të çon në këtë fshat, për qeverinë shqiptare është vlerësim dhe promovim për tolerancën.

“Dëshiroj të përgëzoj dhe të përshëndes Top Channel dhe Top Media për nismën e tyre në promovimin e gjestit të banorëve të Malbardhës, në ndërtimin e kishës katolike për një pakicë katolike banorësh të këtij fshati, dhe përmes këtij gjesti ka promovuar edhe atë që është një nga vlerat unike të Shqipërisë, që është bashkëjetesa dhe harmonia fetare. Përmes promovimit të kësaj vlere, ne promovojmë edhe vendin tonë, duke përmirësuar atë që është më e rëndësishmja sot, imazhin e Shqipërisë”, u shpreh Niko Peleshi, zëvendëskryeministër i Shqipërisë.

Bashkë me këtë fond, qeveria ka miratuar në mbledhjen më të fundit edhe fondin prej 2 milionë dollarësh për rehabilitimin e vijës liqenore të Pogradecit, që pas prishjes së ndërtimeve synon shndërrimin e tij në një atraksion turistik bashkëkohor.

Ky është synimi edhe për vijën bregdetare, që gjithashtu është pjesë e projekteve të mbështetjes nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. I katërfishuar nga vitet e shkuara, 125 milionë dollarët do të synojnë – thotë zv.kryeministri Peleshi, – krijimin e poleve zhvillimore.

“Në ato pole zhvillimi, ku ne do të vendosim të investojmë, apo do të mbështesim zhvillimin, nuk do të shkojmë vetëm me rrugën, por do të mbështesim edhe infrastrukturën shkollore, atë shëndetësore, qendrat e të rinjve dhe të fëmijëve, si dhe gjithë ato institucione, që i japin bashkëjetesë komunitare qyteteve tona një vlerë tjetër. Kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim zona me potencial ekonomik turistik, zhvillimet në bregdet, ndërtimin e shëtitoreve nga Velipoja e deri në Qeparo. Do të vazhdojmë me këtë qasje, sepse duam që sezoni i ri veror t’i gjejë bregdetin, plazhet e fshatrat tona përgjatë tij, të transformuara sa më shumë që të jetë e mundur”, shtoi më tej zv.kryeministri Niko Peleshi.

Prej ditës së sotme (e enjte) ka dalë njoftimi drejtuar të gjitha Bashkive dhe Komunave për të aplikuar pranë këtij fondi. Në ndryshim nga më parë, vendorët mund të aplikojnë edhe për projektide, që më pas do të kthehen në projekte nga 5 studio arkitekturore të kontraktuara nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve.

Skicimi i projekteve prej tyre, – thotë zëvendëskryeministri – do të korrigjojë mangësitë e hartimit të projekteve jocilësore nga Bashkitë dhe Komunat, që më parë i kanë hartuar vetë projektet.

Top Channel