Duma: 21 janari, mosmenaxhim i situatës. 4 viktimat, të pafajshme

22/01/2015 00:00

Grida Duma ka surprizuar nga Vlora, kur ka mbajtur një qëndrim krejt të ndryshëm nga ai i Partisë Demokratike për 21 janarin e vitit 2011.

Ajo që për kryeministrin e kohës, Sali Berisha dhe ministrin e Brendshëm të kohës Lulzim Basha ishte një grusht shteti për marrjen e pushtetit me dhunë, për sekretaren për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike ishte diçka krejt tjetër.

“Qëndrimi im për 21 janarin është një dhimbje e madhe për mosmenaxhimin e situatës siç duhej. Por, as që kam pikën e dyshimit për të ditur se kush janë fajtorët”, deklaroi Duma.

Grida Duma nuk u tregua kaq e qartë, kur u përpoq të shpjegonte konceptin e saj mbi fajtorët e 21 janarit. Por, ajo që ishte e qartë ishte përcaktimi si “të pafajshëm” të 4 viktimave të 21 janarit.

“Të pafajshëm dhe të përdorur, të cilët ranë në tragjedinë historike të këtij vendi. Nuk e di ku janë sot ata familjarë që dje tubonin dhe ecnin krah për krah me kryeministrin e sotëm, dje kryetar i opozitës. Nuk di sot përveç të kundërtës, se ata as nuk janë trajtuar e as nuk është gjendur e vërteta. Nëse e vërteta qëndronte ashtu siç ata e deklarojnë, sot më shumë se kurrë do ta kishin nxjerrë atë të vërtetë”, theksoi Duma.

Po punojmë për të ndryshuar hartën elektorale

Zonja Duma ishte në Vlorë pasditen e së mërkurës dhe gjatë një takimi me strukturat dhe median lokale citoi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për një deklaratë që ai nuk e ka bërë asnjëherë publikisht.

“Ju e keni dëgjuar kryetarin e Partisë Demokratike të thotë se nuk shkojmë në zgjedhje me këtë hartë”, u shpreh Duma.

Deri tani qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike ishte se “nuk ka zgjedhje me këtë hartë”, por publikisht zoti Basha nuk e ka pohuar mospjesëmarrjen në zgjedhje.

“Do të bëjmë betejën e plotë politike me çfarëdo lloj gjëje që të ketë mbetur përsa i përket asaj që është ndryshimi i hartës territoriale, sepse kjo do të thotë që ne si forcë politike nuk mund të shkojmë në zgjedhje me rregullat e lojës të krijuara në mënyrë jo të drejtë dhe të papërshtatshme drejt një harte që nuk është territoriale, por relektorale”, nënvizoi Duma.

Megjithatë, zonja Duma pohoi se Partia Demokratike po bën sondazhe rreth kandidatëve për zgjedhjet lokale dhe duket se kërcënimi për mospjesëmarrje në zgjedhje nuk do t’i qëndrohet deri në fund.

“Nuk do të thotë që ne qershori na gjen pa plane. Një parti si PD ka gjithë maturinë të surprizojë me figura. Ne nuk jemi forca që ndjek kundërshtarin, ne jemi forca që ndjek lojën sipas kushteve tona dhe historikisht PD ka surprizuar me kandidatët e saj”, shtoi Duma.

Top Channel