“Pax Albanica” promovohet në Prishtinë

22/01/2015 00:00

Libri “Pax Albanica” i publicistit Mustafa Nano ka ngjallur debate në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, gjatë promovimit këtë të enjte në Prishtinë.

Gjatë diskutimit me temë “Toleranca fetare, mit apo realitet”, bazuar mbi librin e botuar nga shtëpia botuese “Saras”, pjesëmarrësit diskutuan raportet e shqiptarëve ndër shekuj me fenë dhe kombin.

“Kam dashur ta mbaj të gjallë kombin shqiptar, sepse kjo gjë është menduar që nga koha kur doli rilindja jonë kombëtare. Theksimi i fortë i identiteteve fetare mund ta lëndonte kompaktësinë nacionale”, tha në fjalën e tij autori i librit.

Nga pikëpamja e besimtarit, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji heq dilemat mbi atë se kush vjen e para.

“Autori ka të drejtë të jetë ateist, agnostik, i krishterë, myslimanë apo çfarëdo. Është e drejta e tij. E rëndësishme është që të theksohet se besimi i mirëfilltë kurrë nuk e ka cunguar dhe penguar kombëtaren, përkundrazi. Vëllazëria jonë shqiptare apo gjithëshqiptare ka dy nivele apo dy rrafshe, jemi vëllezër sepse jemi shqiptarë”, u shpreh Don Lush Gjergji.

“Kur autori propozoi bashkëpunimin për librin, unë isha skeptik. Thash ‘na lërë rehat me gjithë këto fe, se kush e di ç’do na ndodhë’. Por, ritheksoj, duke marrë pjesë në diskutimin e sotëm ndihem shumë mirë që ky libër prodhoi këtë diskutim”, thë më tej Besnik Myftari, drejtor i shtëpisë botuese “SARAS”.

Me këtë promovim të “Pax Albanica” të shtëpisë botuese “Saras”, Shoqata e Botuesve të Kosovës nisi edhe aktivitetet që i paraprijnë panairit të radhës të librit në Prishtinë.

Top Channel