NATO: Do të rikthejmë kontaktet me Rusinë. Përfshirja e saj në Ukrainë po rritet

22/01/2015 00:00

NATO ka pikasur shenja të përfshirjes gjithnjë e në rritje të Rusisë në luftimet mes forcave qeveritare dhe rebelëve prorusë në lindje të Ukrainës, bëri të ditur komandanti më i lartë i aleancës, Philip Breedlove, gjatë së enjtes.

Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-ve, njëkohësisht edhe komandanti suprem i NATO-s në Europë, tha se luftimet në vendet e trazuara prej separatistëve prorusë tashmë janë intensifikuar së tepërmi, madje në disa pjesë edhe më të rënda se ç’kanë qenë përpara marrëveshjes së armëpushimit të Minskut, të arritur shtatorin e vitit të kaluar.

Breedlove, pas një takimi të shefave të mbrojtjes së NATO-s, doli në një konferencë për shtyp ku tha se udhëheqësit ushtarakë duhet të rikthejnë kontaktet me homologët e tyre rusë, të cilat u ndalën për shkak të tensioneve në Ukrainë gjatë vitit të kaluar.

“Situata përgjatë vijës së kontaktit në Ukrainë nuk është aspak e mirë. Luftimet janë intensifikuar kryesisht në nivelet e përpara arritjes së marrëveshjes, apo edhe periudhës së qetësimit të përkohshëm, madje në disa raste edhe përtej tyre”, tha Breedlove.

Pas marrëveshjes së Minskut, NATO deklaroi se Rusia kishte tërhequr disa prej trupave të saj që kishte brenda Ukrainës në mbështetje të separatistëve prorusë, por gjatë ditëve të fundit Ukraina ka akuzuar për një rritje të ndjeshme të forcave ruse në vend.

Breedlove tha se nuk mund të konfirmojë përllogaritjen e bërë nga Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në lidhje me 9000 trupa ruse në lindje të Ukrainës, por: “Ajo që shohim ne, është se forcat mbështetëse ruse kanë riaktivizuar kapacitetet e tyre për të ushtruar presion ndaj forcave ukrainase, madje në disa zona kanë avancuar vijën e kontaktit me ta më në perëndim të vendit, gjë që është tepër shqetësuese”, tha ai.

“Kemi nisur të shohim shenjat ‘e nxehta’ të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe sistemeve elektronike të luftës, të cilat kanë shoqëruar kalimin e trupave ruse brenda kufirit me Ukrainën”, shtoi më tej Breedlove.

Kontaktet e nivelit të lartë ushtarak mes Rusisë dhe NATO-s zhvilloheshin rregullisht deri përpara ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë me aneksimin e gadishullit të Krimesë, teksa takimi i fundit u mbajt pikërisht majin e kaluar mes Gjeneralit Knud Bartels, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, dhe Gjeneralit Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ruse.

“Do të synojmë të rikthejmë atë komunikim, pasi kemi folur mes udhëheqësish të lartë ushtarakë se si do ta bëjmë. Por, po, do t’u rikthehemi komunikimeve me Gerasimovin”, përfundoi Breedlove.

Top Channel