Hamasi i bën thirrje për bashkim Hezbollahut, kundër Izraelit

22/01/2015 00:00

Një letër që supozohet të jetë shkruar nga Mohammed Deif, kreu i krahut të armatosur të Hamasit, i bën apel grupit libanez të Hezbollahut t’i bashkohen Hamasit në betejën kundër Izraelit.

Letra, e publikuar këtë të enjte në faqen zyrtare të televizionit të drejtuar nga Hezbollahu, “Al-Manar”, bën thirrje që palestinezët e Hamasit dhe Hezbollahu të lënë mënjanë përçarjen për shkak të luftës siriane.

Hamasi ka qenë armiqësor kundrejt Presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërkohë që Hezbollahu – i mbështetur edhe nga Irani – ka luftuar kundër rebelëve që janë përpjekur ta rrëzojnë atë nga pushteti.

“Armiku i vërtet i kombit është armiku zionist dhe të gjitha armët duhen drejtuar kundrejt tij”, thuhej në letrën që mbante firmën e Deifit. “Të gjitha forcat e rezistencës duhet ta drejtojnë betejën e ardhshme si një të vetme”.

Deif ishte bërë objektiv i një prej bombardimeve izraelite gjatë verës së kaluar në betejën e Gazës.

Letra shprehte ngushëllimet e Hamasit ndaj udhëheqësit të Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, për vrasjen e 6 prej luftëtarëve të tij nga një sulm ajror i Izraelit, i ndërmarrë të dielën në Siri, pranë Lartësive Golan të pushtuara nga vendi hebre.

Izraeli ka bërë të ditur se Deif fshihet pas vdekjeve të dhjetëra personave në sulmet kamikaze në qytetet izraelite, si dhe është përpjekur për ta eliminuar atë disa herë, përfshi edhe përpjekjen e gushtit të kaluar gjatë luftës 50-ditore të Gazës. Lideri i Hamasit, gjendja shëndetësore e të cilit mbetet e panjohur, vijon të mbetet i fshehur prej vitesh.

Hamasi, i cili ndodhet në izolim të plotë politik dhe financiar, pret me ankth të madh rigjallërimin e aleancave të vjetra dhe rikthimin e financimeve për të luftuar kundër Izraelit. Në dhjetor u njoftua se Hamasi kishte rikthyer marrëdhëniet me Iranin, pavarësisht irritimit të vendit islamik me lëvizjen palestineze për shkak të qëndrimit të kësaj të fundit kundër Assadit. Teherani ka qenë prej kohësh një furnizues i fuqishëm, financiar dhe ushtarak, ndaj grupit palestinez.

Top Channel