Thaçi në Shkup: Pakt “Serbi-Kosovë” për kontestin e emrit

22/01/2015 00:00

Maqedoni dhe Greqia mund të ndjekin modelin e bisedimeve Kosovë-Serbi, për të zgjidhur problemin bilateral për emrin.

Këtë propozim e ka bërë në Shkup, zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me kolegun e tij maqedonas Nikolla Popovski.

“Kosova synim të sajin ka anëtarësimin në NATO dhe në BE dhe në këtë kuadër, shteti i Kosovës mbështet fuqishëm Maqedoninë që të anëtarësohet sa më shpejt. Shpresoj se do të arrihet marrëveshja mes jush dhe Greqisë dhe mund të them se një model për arritjen e kësaj marrëveshjeje është ajo e arritur mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë që të tejkalojmë të kaluarën e hidhur dhe të shikojmë nga e ardhmja e përbashkët e fqinjësisë së mirë”, ka deklaruar Thaçi.

Kryediplomati kosovar para autoriteteve me të larta shtetërore të Maqedonisë ka nënvizuar rëndësinë që ka zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit për stabilitetin e rajonit.

Në daljen e përbashkët para mediave, dy shefat e diplomacive kanë paralajmëruar se brenda gjashtë muajve të ardhshëm Shkupi dhe Prishtina do të mbajnë seancën e parë ndërqeveritare, ku pritet të firmoset edhe marrëveshja për lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve vetëm me letërnjoftime.

“Pas bisedimeve të sotme mendoj se ka kushte që në një periudhë shumë të shkurtër, brenda disa muajsh, të mbajmë seancën e përbashkët ndërqeveritare. Përsa i përket firmosjes së marrëveshjes për lehtësimin e kalimit të kufirit, pres që kjo ndodhë shumë shpejt sepse është në interes të qytetarëve dhe mundëson lëvizje më të lehtë”, ka thënë nga ana e tij ministri Nikolla Popovski.

Gjatë qëndrimit në Shkup, kryediplomati kosovar është pritur edhe nga presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski, me të cilët ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Top Channel