Rreth 35 gra shqiptare humbin çdo vit jetën, për shkak të kancerit të qafës së mitrës. Një sëmundje e parandalueshme në 80 përqind të rasteve, nëse kapet në kohën e duhur.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në vendin tonë shënohen rreth 100 raste të reja në vit. Ndërkohë që, më shumë se gjysma e tyre diagnostikohen në stadet e avancuara, 3 dhe 4, kur trajtimi është shumë më pak efektiv dhe shumë i shtrenjtë.

Sipas mjekëve, shifrat janë të vogla krahasuar me ato të kancerit të gjirit, por kjo sëmundje shfaqet në moshë shumë më të re.

Kanceri i qafës së mitrës është një tumor që formohet në qafën e mitrës, të cilit i njihet shkaku. Studimet e viteve të fundit kanë provuar se, pothuaj të gjitha rastet shkaktohen nga një virus i veçantë, që njihet me emrin “Virusi i Papillomës Humane”, ose shkurt  “HPV”. Ka më shumë se 100 tipe të këtij virusi, por vetëm një pjesë prej tyre janë me rrezik të lartë.

E veçanta e këtij virusi është se ai, pasi hyn në organizëm, mund të mbetet aty i fshehur me vite, pa dhënë asnjë shenjë sëmundjeje.

Virusi që shkakton kancerin e qafës së mitrës përhapet nëpërmjet kontakteve seksuale dhe rreziku i infektimit rritet, me shtimin e numrit të partnerëve seksualë.

Ai është kanceri i dytë më i shpeshtë te gratë në botë, nga 15-44 vjeç, me një shkallë të lartë vdekshmërie. Në Evropë, rreth 30.000 gra vdesin çdo vit nga kanceri i qafës së mitrës, që përbën gati gjysmën e rasteve të reja të diagnostikuara gjatë një viti.

Top Channel