“Ditët e mia pranë shtratit të tim biri”

22/01/2015 00:00

Pasdite në Top Channel ka nisur këtë të enjte me rastin e djalit, të një gazetareje dhe publicisteje shqiptare, Kozeta Zavalanit.

Mikeli u aksidentua më 31 tetor, kur Kozeta ishte e ftuar në një emision të Televizionit Shqiptar kushtuar medias. Ai u dërgua menjëherë në Qendrën e Traumës, ku ka qëndruar deri më 24 nëntor. Me ndihmën e miqve dhe dashamirësve, familja arriti ta dërgonte atë në një spital të Turqisë. U dërgua atje me një avion, pasi gjendej në koma cerebrale. Më 25 dhjetor, mbrëmjen e Krishtlindjes, Mikeli ka reaguar për herë të parë duke folur. Ndërsa nga koma e thellë ka dalë plotësisht më 15 janar.

Më 20, pra përpara dy ditësh, ai është transferuar në Qendrën e Rehabilitimit në Bilkent, ku ndodhet aktualisht i shtruar dhe pret të nisë edhe një terapi intensive rehabilituese.

Në lidhje të drejtpërdrejtë me telefon nga Turqia ka qenë nëna e Mikelit, Kozeta Zavalani.

“Gjendja e tij mund të them se është mirë aktualisht, pas atij kalvari të gjatë mundimesh që kemi hequr familjarisht dhe jo vetëm, pasi pati edhe shumë miq që janë preokupuar për shëndetin e tij. Fakë Zotit ai e kaloi gjendjen e komës dhe tashmë nuk është më në rrezik për jetën dhe shpresoj që do të rehabilitohet dalëngadalë në këtë Qendër Rehabilitimi”, tregon e ëma mbi gjendjen aktuale.

E pyetur nëse situata tashmë ka në fokus sërish vështirësitë e mëdha, apo dëmtimet që ka pësuar Mikeli, Kozeta Zavalani ka folur edhe mbi momentin e mësimit të ngjarjes.

“Kur më kanë njoftuar atë 31 tetor, zemra thuajse më la, pasi pësova një traumë. Pikërisht në atë datë, një numër që përgjithësisht njerëzit e kanë si numër fati, madje edhe unë e kam konsideruar të tillë, më 31 gusht të 5 viteve më parë mamaja ime u nda nga jeta, dhe duke qenë se në atë datë unë e kisha humbur një njeri të dashur, ju luta Zotit të mos ndodhte e njëjta gjë me djalin. Nuk mund ta përballoja dot. Por pas një nate, që ishte një tmerr i veçantë, ai humbi parametrat mjekësorë dhe ne u tmerruam. Edhe mjekët e Reanimacionit të Spitalit të Traumës u shqetësuan dhe u mobilizuan. Nuk e di nëse ishte pikërisht reagimi i tyre apo një mrekulli e Zotit… Megjithatë dua të falënderoj të gjithë ata që më mbështetën, më dhanë kurajo dhe optimizëm për të përballuar këtë traumë familjare që ne kaluam”.

Duke uruar dhe shpresuar për një rikuperim sa më të shpjetë të tij dhe një rikthim në gjendjen normale, Kozeta Zavalani tregon se tani nis edhe pjesa më e vështirë për familjen por edhe për Mikelin, pasi pas gjithë kësaj kohe të ndenjurit shtrirë në gjendje kome, do të nisë faza e rehabilitimit. “Tashmë ai thjesht harron ndonjë gjë dhe ne duhet ta kujtojmë. Bën ushtrime për trurin dhe për t’iu rikthyer ecjes, por pikë së pari për të qëndruar në këmbë. Është një betejë edhe më e vështirë kjo”.

Mjekët, siç tregon Kozeta, tashmë janë optimistë, ndryshe nga ç’ishin shefi i pavionit të Spitalit të Traumës apo edhe ai i spitalit turk në fillim, për shkak se kishte pësuar një goditje të rëndë në tru dhe kur qelizat e trurit vdesin është thuajse e pamundur të rikthehen në jetë. E pavarësisht këtij pesimizmi, nëna e Mikelit thotë se nuk i kishte humbur shpresat, pasi ndryshe nga çfarë thonin mjekët, mbi të gjithë ne ka një Zot. “Jam lutur shumë dhe në fakt mrekullia ndodhi me ne”.

Top Channel