Samiti i Londrës anti-ISIS, Kerry: I kemi zmbrapsur. Gentiloni: Rrezik, infiltrimi i terroristëve me anë të emigracionit

22/01/2015 00:00

ISIS nuk është vetëm një problem i Lindjes së Mesme, por i gjithë botës, këto ishin fjalët e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, pas mbarimit të samitit anti-ISIS që u zhvillua në Londër. Megjithatë, Kerry shtoi se lufta kundër terrorizmit po shkon drejt përmirësimit.

“Gjatë muajve të fundit kemi vënë re qartësisht një ndalje të hovit të militantëve islamikë, ndërsa në disa raste edhe tërheqje të tyre. Forcat në terren kanë mbështetur më shumë se 2000 sulme ajrore të koalicionit dhe tashmë kemi rikuperuar rreth 700 kilometra katrorë, të pushtuar nga xhihadistët”, deklaroi kryediplomati amerikan Kerry, duke shtuar se forcat irakiane po marrin furnizime të bollshme armësh amerikane “M16”. “Është krijuar një ‘tunel’ furnizimi armësh atje dhe gjithçka po shkon mirë. Por, prioriteti ynë duhet të jetë edhe mbledhja e një fondi ndërkombëtar për dërgimin e ndihmave humanitare atje”, tha Sekretari amerikan.

Sekretari amerikan bëri të ditur se janë shkatërruar disa celula terroriste në Europë. “Qeliza me luftëtarë të huaj janë goditur në Austri, Malajzi e Kosovë, ndërsa në vende të tjera, si Gjermania dhe Anglia, luftëtarët e huaj janë ndjekur penalisht”. Ndërsa ministri italian i Punëve të Jashtme, Paolo Gentiloni, u shpreh se rreziku më i madh është infiltrimi i terroristëve me anë të emigracionit, duke shtuar se të ngatërrosh terrorizmin me emigracionin është një idiotësi.

“Ekzistojnë rreziqe që terroristë tepër të njohur të infiltrohen përmes emigracionit. Por për fat të mirë, shërbimet tona të sigurisë janë në nivele maksimale dhe funksionojnë më së miri. Të pretendosh se mes dhjetra-mijëra njerëzve të dëshpëruar, që mbërrijnë në brigjet e Italisë ose kujtdo vendi tjetër me anë të varkave, strehohen terroristë të armatosur me kallashnikov nuk ka kuptim – tha Gentiloni, – e megjithatë kjo nuk do të thotë që të kënaqemi dhe të ulim në minimum nivelin e shqetësimit”.

Ministri i Jashtëm italian shtoi se kjo nuk është vetëm një betejë sulmesh ushtarake, por gjithashtu edhe një betejë kulturore për interpretimin e Kuranit. Më herët në samit, shefi i diplomacisë britanike Philip Hammond këmbënguli se fushata ajrore duhej intensifikuar.

“Vendet e koalicionit duan të gjejnë rrugët për ndalimin e fluksit të rekrutëve të ISIS-it, bllokimin e financimit të tij e do të shikojnë edhe mundësinë e shtimit të asistencës ushtarake për ata që luftojnë militantët në terren. Në diskutim do të jetë gjithashtu edhe ndihma humanitare për banorët e kthyer në viktima të ISIS-it. Ne po punojmë për trajnimin e forcave irakiane të sigurisë në mënyrë që të jenë të gatshme për një ofensivë tokësore kundër xhihadistëve. Megjithatë, do të duhen muaj të tëra derisa ato të jenë gati për operacione të rëndësishme luftarake”, u shpreh Hammond.

Samiti i koalicionit anti-ISIS i mbylli bisedimet për hartimin e një politike të re përballe terrorizmit. Të nxitur nga zhvillimet e fundit të përgjakshme në Europë dhe Lindjen e Mesme, ministrat e Jashtëm të 22 vendeve kanë ndërmarrë hapa konkrete për sfidën kundër ISIS. “Fokusi i vërtetë” i konferencës së Londrës ishte krijimi i një grupi ekspertësh, i cili do të përqendrohet te shkëmbimi i informacioneve, me qëllim ndalimin e udhëtimit individëve të dyshuar për terrorizëm.

Top Channel