Jemeni futet në kaos, pas kryeministrit jep dorëheqjen edhe Presidenti

22/01/2015 00:00

Presidenti i Jemenit, Abd-Rabbu Mansour Hadi, ka dhënë dorëheqjen gjatë së enjtes, siç bëri të ditur një zëdhënës i qeverisë, duke e futur kështu vendin në një kaos të thellë, vetëm pak ditë pasi rebelët Houthi luftuan ashpër për të hyrë deri brenda rezidencës së tij presidenciale.

Hadi, një aleat i Shteteve të Bashkuara, dha befas dorëheqjen vetëm pak pasi kryeministri Khaled Baha i kishte ofruar atij dorëheqjen e qeverisë së tij, duke thënë se nuk do të dëshironte të futej në një “labirinth jokonstruktiv politik”.

Me këtë term, ai duket se i është referuar grindjeve mes Hadi dhe lëvizjes muslimane shiite “Houthi”, e cila e ka mbajtur Presidentin si një të burgosur virtual brenda zyrës së tij në rezidencë.

“Ju kërkojmë falje juve përsonalisht, Kuvendit të nderuar dhe popullit të Jemenit, pas arritjes në këtë situatë përfundimtare”, ka cituar një zëdhënës qeveritar Hadin të ketë thënë në letrën e dorëheqjes.

Ajo i adresohej kreut të Parlamentit, i cili bëhet kështu kryetar i përkohshëm i shtetit, bazuar mbi Kushtetutë.

Vendimi i Hadit shënon një kthesë të papritur nga e mërkura, kur ai tha se ishte gati të pranonte kërkesat e rebelëve Houthi për më shumë influencë në marrëveshjet kushtetuese dhe politike.

Shpallja e djeshme e tij u duk se qetësoi disi përkeqësimin e dallimeve mes tij dhe militantëve Houthi, ardhja e të cilëve në pushtet e ka bërë Jemenin të futet në një betejë edhe më të ashpër sektariane, të autorizuara nga Riyadhi dhe Teherani në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme.

Mposhtja e gardës presidenciale nga militantët Houthi ka shtuar rrëmujat në një vend ku edhe Shtetet e Bashkuara janë duke kryer sulme me drone kundër një prej degëve më të fuqishme të Al Kaedës (AQAP).

Por, vetëm pak kohë pas letrës së Presidentit, Parlamenti i Jemenit ka refuzuar dorëheqjen e Hadit, sipas raportimeve të televizionit “Al Arabiya”. Një burim qeveritar tha se Parlamenti do të zhvillonte një seancë të jashtëzakonshme gjatë së premtes.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Departamenti amerikan i Shtetit, i cili është duke u përpjekur të konfirmojë raportimet për dorëheqjen e qeverisë së Jemenit, siç bëri të ditur zëdhënësja Jen Psaki këtë të enjte, duke shtuar se SHBA-të vazhdojnë mbështetjen për një tranzicion paqësor në këtë vend.

“Ekipi ynë po kërkon të konfirmojë të gjitha raportimet, gjithsesi SHBA-të janë të përgatitur për të rregulluar prezencën e saj në Jemen, sipas nevojave”.

Top Channel