Përplasje për ndryshimin e buxhetit, PD akuzon Canin për abuzim

22/01/2015 00:00

Një akt normativ i qeverisë që ndryshon buxhetin e vitit 2014 në ditët e fundit të dhjetorit ka shkaktuar përplasje të forta në komisionin e ekonomisë.

Deputeti demokrat Sherefedin Shehu akuzoi ministrin e Financave për abuzim me fondet publike dhe veprime të paligjshme financiare.

“Sepse kemi një akt normativ që ligjëron abuzimet me fondet publike të kryera nga ministri i Financave dhe ministrat e tjerë. Dhe këtë e bënë në fund të vitit, në shkelje direkte të 4 neneve të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor dhe do të përdorin votën tonë që të shpëtojnë lëkurën e vetë. Të shpëtojë lëkurën ministri, sepse pa votën tonë akuzat bien mbi të”, deklaroi Shehu.

Por kreu i Financave preferoi të përgjigjej shkurt duke i kërkuar deputetit demokrat që nëse beson tek akuzat e tij, t’i çojë ato në prokurori.

“Kushdo që ka zbuluar dëme, fajtorë, etj nuk duhet të rrijë me demagogji e të ndërtojë fjali. Është e turpshme të mbahet qartësia e të mos çohet në prokurori, sikurse kam bërë unë”, u përgjigj Cani.

Deputeti tjetër demokrat Ridvan Bode tha se përmes aktit qeveria parapaguan para për punë apo shërbime që ende nuk janë kryer, kur mund t’i kishte përdorur ato për të shlyer më shumë detyrime të vjetra.

“Detyrimet e prapambetura nuk paguhen, por kontrata të reja lidhen në dhjetor dhe parapaguhen punimet. Nëse ka kompani që presin të marrin pagesat për punët e kryera, qeveria lidh kontrata të reja dhe i parapaguan kompanitë për punët dhe shërbimet. Janë rreth 20 kontrata vetëm në 19 dhjetor e mbrapa”, deklaroi Bode.

Por ministri i Financave i kujtoi parardhësit të tij, se vitin e kaluar buxheti pagoi 35 miliardë lekë detyrime ndaj biznesit, të lëna pikërisht nga ai.

“Ne akuzohemi pse nuk shlyejmë biznesin dhe nuk guxojmë të artikulojmë fjalën ‘ndjesë’ ndaj biznesit, që ua mbajtën paratë 8 vjet pa ua dhënë. Pastaj të diskutojmë pse nuk shlyem 72 biznese por vetëm gjysmën. Por së pari është një ndjesë që nuk ka ardhur asnjëherë publikisht”, replikoi Cani.

Akti normativ i buxhetit rishpërndan 3 miliardë lekë të kursyera nga interesat e borxhit dhe shpenzime të pakryera për llogari të KESH dhe shpronësimeve.

Top Channel