Shëndetësi, prezantohet Shoqata e kompanive farmaceutike

22/01/2015 00:00

U prezantua këtë të enjte në Tiranë Shoqata Shqiptare e Kompanive Farmaceutike, me një pjesëmarrje të rreth 50% të kompanive farmaceutike operuese në vend.

Kjo shoqatë vjen si një domosdoshmëri në tregun farmaceutik shqiptar dhe kërkon që të jetë partnere e rëndësishme e autoriteteve shëndetësore në vend.

Ajo do të japë mendimin e grupimit të interesit për ndryshime apo përmirësime në fushën e farmaceutikës, me qëllim që të gjitha ndryshimet legjislative apo rregullatore të kenë një synim të përbashkët: përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve shqiptarë.

Kjo shoqatë vjen edhe si një domosdoshmëri për përmirësimin e imazhit të kompanive farmaceutike në sytë e pacientëve dhe autoriteteve shëndetësore, për të mos u paragjykuar e përgjithësuar si një njollë e zezë në shëndetësinë e vendit tonë, por si një grup interesi i rëndësishëm dhe partner i besueshëm në fushën e farmaceutikës shqiptare.

Partneriteti me autoritetet shëndetësore do të jetë një nga pikat kryesore të kësaj shoqate, për t’u ofruar pacientëve barnat më të mira dhe më të fundit të teknologjisë botërore, si dhe duke i garantuar atyre cilësi dhe efikasitet, që janë dhe prioritetet e kompanive që aderojnë në këtë shoqatë.

Top Channel