Franca “sfidon” radikalizimin islamik duke nisur nga shkollat

22/01/2015 00:00

Franca publikoi këtë të enjte masa të reja me synimin për të ndihmuar shkollat të luftojnë radikalizimin islamik, racizmin dhe antisemitizmin, në shenjë reagimi pas sulmeve vdekjeprurëse të terroristëve dy javë më parë.

Lëvizja e fundit, e cila përfshin më shumë mësues trajnimi dhe një edukim më civil dhe etik në një vend që njihet për laicitetin e tij, vjen pasi dhjetra shkolla u ankuan për nxënës që refuzuan t’i bashkoheshin minutës kombëtare të heshtjes së 8 janarit, në nderim të viktimave.

Simbolet franceze, si flamuri dhe himni kombëtar do të festohen në mënyrë eksplicite, ndërsa 9 dhjetori është shpallur si “Dita e Laicitetit”. Nxënësit e varfër do të marrin më shumë grante, ndërkohë që më shumë përpjekje do të bëhen për t’i detyruar shkollat të pranojnë më shumë diversitet shoqëror.

Ndërkohë që miliona francezë marshuan në mbrojtje të lirisë së të shprehurit, pas vrasjeve në të përjavshmen satirike “Charlie Hebdo”, disa të tjerë i përshkruan karikaturat e Profetit Muhamed të publikuara nga revista si fyese dhe refuzuan lëvizjen “Je suis Charlie” apo edhe marshimin e unitetit.

Në një padi të paprecedentë të një udhëheqësi francez ndaj dështimit të vendit për të integruar dyndjet e mëdha të emigrantëve nga Afrika Veriore apo vende të tjera, kryeministri Manuel Valls tha këtë javë se gjithçka pas sulmeve demonstroi se një “formë e caktuar sociale e etnike aparteidi” ka pas ekzistuar në Francë.

“Laiciteti duhet të aplikohet kudo, sepse është e vetmja mënyrë se si cilido prej nesh do të mund të jetojë në paqe me këdo tjetër”, tha Valls në një konferencë për shtyp.

Rreth 1 mijë edukatorë do të marrin trajnim për t’i ndihmuar mësuesit të përballen me pyetjet e nxënësve mbi traditën laike të Francës, shtetësinë, paragjykimet, teksa një sistem paralajmërimi i hershëm do të krijohet për të identifikuar dhe për të menaxhuar sjelljet shqetësuese të nxënësve.

Top Channel