Elbasan, i liroi gjykata, arrestohen sërish punonjëset e Postës

22/01/2015 00:00

Një muaj pas lirimit nga gjykata, Sektori kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan, me kërkesë të Prokurorisë arrestoi sërish punonjësen e Postës së Shtërmenit, shtetasen Angjelina Toska, me të njëjtën akuzë, atë të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.

Qindra banorë të fshtrave Shtërmen dhe Malasen të rrethit të Elbasanit kanë vazhduar denoncimet ndaj punonjëses së Postës për mosarkëtimet e pagesave të tyre të energjisë elektrike. Kjo bëri që hetimet të vazhdojnë, edhe pasi Toska u lirua nga gjykata një muaj më parë, me kusht për të mos kryer vepra penale për 3 vitet e ardhshme, edhe pse ndaj saj ishte faktuar vjedhja e 4 milionë lekëve të reja.

Burime të Prokurorisë bëjnë me dije se Toska hetohet për një shumë, që mund të arrijë në rreth 18 milionë lekë të reja, ndaj dhe për të u lëshua masa e arrestit, që u ekzekutua të enjten në mbrëmje.

Hetimet ndaj Angjelina Toskës nisën në mars të vitit 2014, kur dhe ndaj saj u bë kallëzimi penal, po në atë kohë Posta Shqiptare e largoi atë nga detyra. Por, Angjelina Toska, veç faturave të energjisë elektrike, është denoncuar nga qytetarët edhe për vjedhje të pensioneve, duke falsifikuar firmat. Prokuroria konfirmon se e pandehura do të hetohet edhe në këtë drejtim.

Vendimi i gjykatës ndaj shtetases Angjelina Toska u kundërshtua dhe u apelua nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila e vlerësoi atë si të pambështetur në ligj. Në arsyetimin e tij, organi i akuzës iu referua nenit 135 të Kodit Penal, ku dhe janë të përfshira veprat penale të kryera nga punonjësja e Postës, nen i cili parashikon si masë maksimale dënimi 10 vjet burgim.

Gjithashtu në pranga, me akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën, ka përfunduar edhe punonjësja e Filialit të Postës Elbasan, shtetësja Ëngjëllushe Moglica. Ka qenë Auditi i Drejtorisë së Përgjithshme të Postës Shqiptare, ai që ka konstatuar shkeljet e kryera nga Moglica, duke e larguar atë nga detyra që në dhjetor të vitit 2013, ndërkohë që Filiali i Postës Elbasan bëri edhe kallëzimin penal.

Edhe ndaj Ëngjëllushe Moglicës ka pasur dhjetëra ankesa të qytetarëve, të cilët rezultonin debitorë pranë OSHEE-së, edhe pse i kishin paguar detyrimet pranë këtij Filiali të Postës.

Top Channel