Vlorë, raportohet për dhunë në familje, sekuestrohet arsenal armësh

22/01/2015 00:00

Mbrëmjen e së enjtes, policia e Qarkut Vlorë ka bërë të mundur parandalimin e një vrasjeje, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për ushtrim dhune në familje, teksa ka ndërhyrë në banesën e shtetasit Meridjan Razi Myslymi në fshatin Drashovicë të Vlorës.

Por, përveç shmangies së një krimi brenda familjes, policia e Vlorës ka mundur të gjejë në banesën e shtetasit 50-vjeçar edhe një arsenal armësh, ndër të cilat një armë zjarri gjysmë automatike (pushkë dhjetëshe), tre kallëpe tritoli, si dhe 1300 copë fishekë, arsenal i sekuestruar nga forcat policore.

Menjëherë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Meridjan Myslymi dhe u hap një proces hetimor ndaj tij, materialet e të cilit iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, si dhe për “dhunë në familje”, vepra të parashikuara nga nenet 278 dhe 130/a i Kodit Penal.

Top Channel