Ndërron jetë Mbreti i Arabisë Saudite

23/01/2015 00:00

Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare, lajmi është konfirmuar nga televizioni shtetëror i Arabisë. 

Që prej muajit dhjetor ai qëndronte i shtruar në spital, pasi vuante nga një infeksion në mushkëri. Abdullah bin Abdulaziz erdhi në fron në 2005, por ai ishte lider de-facto i Arabisë Saudite që prej 10 vjetësh sepse paraardhësi i tij pati probleme shëndetësore pas një goditje në tru. Vitet e fundit kishte shfaqur probleme të shumta shëndetësore.

Vëllai i Mbretit Abdullah, Salman, 79 vjeç bëhet mbret në vend të të
ndjerit, ndërsa vëllai i tyre 60 vjeçari Muqrin është emëruar princ,
thuhet në një deklarata zyrtare. “Ne do të vazhdojmë të aderojmë në
politikat korrekte që Arabia Saudite ka ndjekur që në fillesat e saj”, ka
deklaruar monarku i ri.

“Lartësia e tij, Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe të gjithë anëtarët e
familjes dhe të kombit mbajnë zi për Mbretin Abdullah bin Abdulaziz, i
cili ndërroi jetë saktësisht në 01:00 këtë mëngjes”, thuhet në një
deklaratë.

Prej më shumë se tre dekadash Abdullah bin Abdulaziz ka qenë një nga njerëzit më me ndikim të Shteteve të Gjirit, gjithashtu ishte një aleat kritik i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan Barack Obama shprehu simpatinë e tij dhe të popullit amerikan për të ndjerin. “Si lider ai ishte i çilter dhe kishte kurajo në marrjen e vendimeve. Një nga bindjet e tij kryesore ishte besimi në rëndësinë e aleancës SHBA-Arabi Saudite, si një force garante e sigurisë dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe më gjerë”, deklaroi Obama.

Edhe kryeministri britanik David Cameron u shpreh se mbreti Abdullah do të mbahet mend për angazhimin e tij për paqen dhe përforcimin e mirëkuptimit mes besimeve të ndryshme fetare.

Top Channel