Ebola, ngarkesa e parë me vaksina drejt Liberisë

23/01/2015 00:00

Ngarkesa e parë me vaksina eksperimentale kundër virusit të Ebolës është nisur për në Liberi. Ngarkesa do të jetë elementi i parë parandalues i përhapjes së virusit në një nga vendet më të prekura prej tij.

Por ekspertët thonë se, me rënien e rasteve të Ebolës mund të jetë e vështirë të përcaktohet nëse vaksina ofron një mbrojtje të mirëfilltë nga sëmundja.

Vaksina është prodhuar nga kompania britanike GlaxoSmithKline dhe Instituti Kombëtar për Shëndetin në Shtetet e Bashkuara.

GSK deklaroi se një avion me rreth 300 doza fillestare të vaksinës pritet të mbërrijë në lokalitetin Monrovia ditën e premte. Kompania shpreson se vullnetarët e parë do të fitojnë imunitet në javët e ardhshme.

Shkencëtarët synojnë të përfshijnë rreth 30 mijë vullnetarë për të kryer testin, përfshirë këtu punonjësit e sektorit shëndetësor që luftojnë virusin në vijën e parë.

Nëse të gjitha rregullat e paracaktuara plotësohen, atëherë 10 mijë vullnetarëve të parë do t’u jepet vaksina në fjalë.

Më pas janë rreth 10 mijë të tjerë që do të marrin një vaksinë eksperimentale. Rezultatet do të krahasohen për të parë nëse vaksina ofron një mbrojtje konkrete kundër virusit.

Një version i saj është përdorur tashmë mbi 200 punonjës të sektorit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Zvicër dhe Mali.

GSK deklaron se rezultatet e deritanishme të këtyre testeve kanë treguar një profil të sigurtë. Por vetëm në vendet më keq të prekura ekspertët mund të vendosin nëse vaksina siguron një mbrojtje të përshtatshme ndaj virusit.

Top Channel