Peqin, pranga për korrupsion ish-punonjësit të Nënprefekturës

23/01/2015 00:00

Një ish-punonjës i Nënprefekturës së Peqinit ka përfunduar në pranga me akuzën e “korrupsionit pasiv” të personave që ushtrojnë funksione publike.

24-vjeçari Gledis Sinametaj, banues në fshatin Shezë të Peqinit, premtonte leje ndërtimi kundrejt rryshfetit. Policia bën me dije se Sinametaj i kishte kërkuar shtetasit Muharrem Alla 50 mijë lekë për të ligjëruar një objekt që ky i fundit kishte ndërtuar pa leje.

Gjithashtu është arrestuar edhe 62-vjeçari Alla, i cili do të përgjigjet para drejtësisë për korrupsion aktiv. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit për hetime të mëtejshme.

Ndërkohë, institucioni i Prefektit të qarkut Elbasan ka sqaruar se 24-vjeçari Sinametaj i ka ndërprerë marrëdhëniet juridike me Nënprefekturën në nëntor të vitit 2014.

Gjithashtu, prefekti ka bërë me dije se detyrat dhe funksionet që mbulonte Sinametaj si specialist i emergjencave civile dhe shërbimeve nuk përfshijnë dhënien e lejeve të ndërtimit.

“Kjo e fundit është kompetencë e njësive të qeverisjes vendore, ose organizmave të ngritur pranë tyre”, ka deklaruar Prefektura.

Top Channel