Bushati, Daçiç dhe Xhentiloni sot në Romë

23/01/2015 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pritet të takohet sot në kryeqytetin
italian, Romë, me homologun e tij italian, Paulo Xhentiloni, dhe atë
serb, Ivica Daçiç.

Pak orë para takimit, ministri i Jashtëm serb ka zbardhur disa nga temat që do të diskutohen mes dy palëve, duke vlerësuar këtu rolin e madh që ka shteti italian në përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë. Gjithsesi, tema kryesore e diskutimit, sipas Daçiç, do të jetë pikërisht stabiliteti në rajon.

“Tema ka të bëjë me dëshirën e Italisë që të ndihmojë në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, pasi Italia ka marrëdhënie të mira mes dy shteteve”, ka thënë Daçiç. Më tej ai nuk ka shmangur as temat e tjera që mund të diskutohen në këtë takim, siç mund të jenë edhe ato të pakëndshme, që në rastin më të fundit Kosova e pavarur e përmendur nga Kryeministri Rama në Beograd, acaroi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

“Natyrisht se do të bisedojmë edhe për temat e pakëndshme, mirë po kjo është pjesë e politikës së jashtme. Duhet të kërkojmë për ato tema në të cilat gjejmë zgjidhje, pasi mjaft mirë e dimë se çfarë nuk pajtohemi”, ka thënë Daçiç. Ftesa për takim që do të mbahet sot mes tri vendeve, është paralajmëruar nga ish-ministrja e Jashtme e Italisë, Frederica Mogerini, gjatë turit të saj në Ballkan, ku vizitoi edhe Shqipërinë.

Në korrik, ajo foli për nisjen e dialogut trepalësh mes ministrave të Jashtëm të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë, gjatë periudhës 6-mujore të kryesimit të Presidencës së BE-së nga Italia, për ta rritur edhe më shumë rolin stabilizues që mund të ketë Shqipëria në Rajon. Ky projekt u mbështet më tej nga ministri aktual i Punëve të Jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, Paulo Xhentiloni, i cili ftoi në Romë ministrin shqiptar, Ditmir Bushati, dhe homologun serb, Ivica Daçiç, në takimin që do të mbahet sot.

Top Channel