Lideri i rebelëve: Nuk duam bisedime me Kievin

23/01/2015 00:00

Lideri i rebelëve pro-rusë në lindje të Ukrainës ka deklaruar se trupat e tij janë në ofensivë dhe se nuk dëshirojnë bisedime për paqen me Kievin.

Alexander Zakharchenko deklaroi se trupat e tij do ta çojnë vijën e frontit sërish në kufijtë e rajonit të Donetskut, ku dominojnë qytetin me të njëjtin emër.

“Pala jonë nuk do të bëjë më asnjë përpjekje për të biseduar për armëpushimin”, deklaroi Zakharchenko, i cituar nga agjencia e lajmeve “RIA Novosti”.

Ukraina, Rusia, Franca dhe Gjermania kanë bërë një apel të përbashkët për dhënien fund të luftimeve.

Ditën e enjte, trupat qeveritare ukrainase u tërhoqën nga terminali kryesor i aeroportit të Donetskut, që në javët e fundit u kthye në skenë të luftimeve më të ashpra.

Qeveria e Kievit deklaroi trupat e saj ende kanë kontroll në disa pjesë të aeroportit, por gjashtë ushtarë kanë vdekur dhe 16 të tjerë janë plagosur.

Ekzekutivi ukrainas dhe aleatët e tij perëndimorë deklarojnë se trupat e rregullta të ushtrisë ruse po luftojnë përkrah separatistëve, duke përdorur artilieri të rëndë ruse dhe tanke. Nga ana e saj Moska pretendon se janë vullnetarë rusë që janë bashkuar me rebelët.

“Ne do të sulmojmë brenda kufijve të rajonit të Donetskut, por nëse shohim ndonjë kërcënim nga drejtime të tjera, ne do ta neutralizojmë atë”, ka thënë më tej Zakharachenko.

Kreu i rebelëve pro-rusë ka shtuar se, Kievi nuk e kupton që ata mund të sulmojnë në tre drejtime të ndryshme njëkohësisht.

Top Channel