Merkel-Renzi: Së bashku të ndryshojmë Evropën

23/01/2015 00:00

Në këmbët e Davidit, në Galerinë e Akademisë së Firences, kryeministri italian Matteo Renzi dhe kancelarja gjermane Angela Merkel kanë mbajtur një konferencë shtypi, përmes të cilës kanë shprehur zotimin e tyre për të ndryshuar Evropën.

Salla e konferencës ishte zgjedhur nga kryeministri Renzi, dikur kryetar i Bashkisë së Fierences.

“Kemi zgjedhur Firencen sepse përbën bukurinë dhe Davidi është simboli sesi duhet të jetë Evropa në botë. Jemi këtu së bashku sepse së bashku mund ta ndryshojmë Evropën. Për këtë angazhohem së bashku me Angela Merkel. Të ndryshojmë rrjedhën e Evropës ndaj atyre që duan ta shkatërrojnë”, ka thënë Renzi.

Shefi i qeverisë italiane i ka komentuar në mënyrë pozitive vendimet e fundit të Bankës Qendrore Evropiane për injektimin e 1.3 trilionë dollarëve në ekonominë e Eurozonës.

Ai është shprehur se këto janë sinjale pozitive, por ka nënvizuar se kjo nuk duhet të sjellë bllokimin e reformave, përkundrazi ato duhen intensifikuar në çdo shtet.

Për konferencën e shtypit të dy liderëve jo më kot ishte zgjedhur kati përdhes i galerisë, i njohur ndryshe si Galeria e Burgjeve, ku ndodhen 6 skulpturat-monument të Mikelanxhelos.

“Mjaftoi të hiqej mermeri i tepërt, tha Mikelanxhelos kur e pyetën sesi kishte arritur të bënte atë mrekulli. Në Itali duhet të bëjmë të njëjtën gjë, të heqim gjërat e tepërta, siç është burokracia”, ka vijuar Renzi.

Top Channel