Kosovë, nxënësit në protestë për Trepçën dhe Jabllanoviç

23/01/2015 00:00

Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë kanë bojkotuar këtë të premte orën e dytë të mësimit, në shenjë përkrahjeje për nënat gjakovare dhe minatorët e Trepçës.

Drejrtori i këtij gjimnazi, Osman Beka ka deklaruar se nxënësit kishin marrë leje nga drejtuesit e shkollës dhe se protesta është organizuar kundër deklaratave fyese të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Alekandar Jabllanoviç.

“Rinia shkollore para dy ditësh ka ardhur dhe ka kërkuar leje nga drejtoria e shkollës sonë që të dalë sot e të bëjë një orë protestë për dorëheqjen e ministrit Jabllanoviç, për faktin se ka ai ka fyer rëndë nënat shqiptare. Për këtë arsye, nxënësit kanë bojkotuar sot orën e dytë të mësimit”, ka deklaruar Beka.

“Në orën e dytë kemi bërë grevë për shkak të ministrit Jabllanoviç, i cili ka fyer nënat gjakovare. Po ashtu kemi mbajtur grevë edhe për minatorët e Trepçës. Nesër do të bëjmë edhe një protestë tjetër nga ora një”, ka thënë Festim Ibrahimi, nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri”.

Protesta e paralajmëruar nga nxënësit për ditën e shtunë organizohet një orë para asaj mbarëpopullore të thirrur nga shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe lëvizja Vetëvendosje, e cila do të fillojë në ora 14 me kërkesë kryesore shkarkimin e ministrit Jabllanoviç.

Top Channel