PD: Taksat mbajnë çmimin e naftës të lartë. Në Shqipëri, karburanti 36% më shtrenjtë

23/01/2015 00:00

“Nga korriku i vitit të kaluar e deri më sot çmimi ka zbritur nga 110 dollarë për fuçi në 48 dollarë për fuçi, duke rënë kështu me 120%”, u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku.

Këtë fakt, Partia Demokratike e përdori për të treguar se sa pak është ulur çmimi i naftës në Shqipëri. Dhe, me argumentin se shkak për këtë është rritja e vazhdueshme e taksave në këto 2 vjet, Jorida Tabaku shpjegoi peshën e taksave për 1 litër karburant.

“Sot qytetarët, kur blejnë naftë në pikat e karburantit, paguajnë: 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 25 lekë TVSH, 3.8 lekë taksë doganore, 5 lekë taksa ngjyrosjeje dhe portuale, duke e shndërruar kështu peshën e taksave në çmimin përfundimtar në masën 60%”, vijoi më tej deputetja Tabaku.

Jorida Tabaku bëri edhe krahasimin me shifra, se sa vend zinin taksat për karburantin në vitin e fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike.

“Dy vjet më parë, kur çmimi i karburantit në tregjet ndërkombëtare ishte 3 herë më i lartë se sot, apo 120 dollarë për fuçi, 60% ishte kosto e karburantit e fitimi, ndërsa taksat zinin vetëm 40% të çmimit. Ndërsa sot, kur e gjithë bota përfiton nga ulja e çmimit të karburantit në 48 dollarë për fuçi, ne paguajmë 60% të çmimit taksa për qeverinë. Rekord botëror besoj”, shpjegoi Tabaku.

Me rritjen e taksës së qarkullimit, Partia Demokratike thotë se qeveria merr nga qytetarët 56 milionë dollarë më shumë. Një fakt ky, për të cilin opozita thërret qytetarët në protestë.

“Faktet janë të qarta dhe as arroganca e pushtetit e as ndonjë gënjeshtër tjetër nuk mund t’i mbulojë ato. Prandaj, ditën e hënë qytetarët në orën 11 do të fikin makinat e tyre, në shenjë proteste ndaj taksave të larta. Të hënën më 11 nis aksioni i parë i qytetarëve, ndërsa Partia Demokratike do të jetë në anën e tyre, derisa qeveria të tërhiqet”, përfundoi deputetja Jorida Tabaku.

Top Channel