BQE injekton 1.1 trilion Euro, monedha europiane nis tatëpjetën

23/01/2015 00:00

Njoftimi nga Banka Qendrore Europiane i planit për të injektuar 1.1
trilionë euro në ekonominë e Eurozonës, ka dhënë efekte të menjëhershme
në tregjet valutore.

Në bursat ndërkombëtare euro ra në nivelin më të ulët ndaj dollarit amerikan në 11 viteve të fundit.
Përkatësisht një ditë më parë u zhvlerësua me 2 për qind, dhe gjatë ditës së premte ajo humbi dhe 0.7 pikë të tjera ndaj dollarit duke rënë për herë të parë që nga 2002, nën nivelin 1.13 dollarë.

Këto lëvizje të forta në tregjet ndërkombëtare të monedhave janë reflektuar pjesërisht edhe në tregun e brendshëm. Sipas bankës së Shqipërisë në katër ditët e fundit, euro ka humbur 0.34 pikë ndaj monedhës kombëtare dhe aktualisht kuotohet me 139.9 lekë nga 140.25 që këmbëhej katër ditë më parë.

Analistët e huaj po parashikojnë se euro do të vazhdojë të zhvlerësohet gjatë muajve në vijim. ‘Morgan Stanley’, një nga bankat më të njohura, e ndryshoi skenarin bazë të kursit të këmbimit dollarë euro, nga 1.12 në 1.05.

Ndërkohë që disa analistë mendojnë se brenda fundit të vitit euro mund të bëhet një monedhë më pak e vlefshme se dollari dhe raporti i këmbimit të tyre të përmbyset në 0.9, pra një euro të shitet me 0.9 dollarë. Ajo që mbetet për t’u parë është se sa prej këtyre skenarëve do të vërteteohen dhe cila do të jetë ecuria e euros në tregun e brendshëm valutor.

Efektet e Euro-s në ekonominë shqiptare

Ardian Civici, ish-anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë thotë se lëvizja e Bankës Qendrore Europiane e ndihmon edhe ekonominë shqiptare.

“Një Europë më dinamike, mund të rrisë kërkesën e jashtme për eksportet dhe për ekonominë shqiptare”, tha Civici.

Sipas tij, injektimi masiv i kapitaleve në Eurozonë dhe pritshmëritë për një euro më të dobët e favorizojnë ekonominë shqiptare në disa mënyra.

Por kjo masë ka dhe disa efekte negative, veçanërisht tek eksportet që kompanitë shqiptare shesin në vendet e BE-së.

“Eksportet tona në Eurozonë do të na sjellin më pak të ardhura. Do të kenë një normë interesi më të ulët”, tha Civici.

Një ditë më parë Banka Qëndrore Europiane lajmëroi se do të injektoi në total 1.1 trilonë euro në treg, përkatësisht 60 miliardë në muaj përmes blerjes së borxhit të Qeverive që mbajnë bankat private.   

   

Top Channel