Sistemi i patentave me pikë, në mars hyn në fuqi sistemi i ri i ndëshkimit për shkeljen e rregullores

23/01/2015 00:00

Brenda muajit mars pritet të hyjë në fuqi sistemi i patentës me pikë, e
cila do të bazohet në një menyre te re vlerësimi të shkeljeve që kryejnë
drejtuesit e automjeteve përmes heqjes së pikëve për çdo kundravajtje.

Ministria e Transporteve sqaron se pikët e patentës në total janë 20. Ndërsa sistemi i pikëve përcakton 61 shkelje të cilat në fakt janë masat që merren kur rrezikon pezullimin e patentës, me heqjen nga 5 deri në 10 pikë për çdo kundravajtje. Kështu në rastet e tejkalimit të shpejtësisë me më shumë se 20 km/orë, drejtuesi i mjetit ndëshkohet me heqjen e 8 pikëve nga patenta. Nëse është përsëritës i kësaj shkeljeje, ndëshkimi i parashikuar është minus 10 pikë. Për rastet kur nuk respektohet sinjalizimi i semaforit apo i policit të trafikut, drejtuesi ndëshkohet gjithashtu me 10 pikë dhe po me 10 pikë edhe në rastet kur drejton makinën në gjendje të dehur. Ne rastin kur numri i pikeve behet zero, drejtuesi i mjetit paraqitet para Komisionit te Disiplines ne Policine Rrugore.

“Ta realizojmë brenda tre muajve të parë të vitit, brenda janarit të jenë gati aktet nënligjore”, u shpreh ministri Edmond Haxhinasto.

Sistemi i pikeve nuk parashikon qe drejtuesit e mjeteve te marrin nje leje te re. Kreu i Transportit thotë se brenda vitit 2015, kandidatët për t’u pajisur me leje drejtimi të automjetit do të duhet t’i nënshtrohen një testi psiko-fizik, që teston aftësitë e tyre fizike dhe psikologjike përballë ngacmuesve me të cilët do të përballen në rrugë si zhurma, dritat etj.

“Kandidati testohet në një pajisje simulimi. Dhe aty reagimi ndaj këtyre ka se si mund të përballojë kandidati situatat e ndryshme në rrugë”, tha Haxhinasto.
 
Ministri Haxhinasto tha se duhet të luftohet perceptimi i patentës së blerë si dhe të kryhet regjistrimi biometrik i kandidatëve për leje drejtimi të automjetit.

Top Channel