Qeveria: Çmimi i naftës ka rënë aq sa në bursë. Tregu, jo më monopol si në 2008

23/01/2015 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, deklaroi se tregu shqiptar e ka përcjellë të plotë rënien e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare, duke i quajtur akuzat e opozitës një farsë.

“Çmimi në tregun shqiptar është ulur me 20 për qind dhe pjesa e kompanive ka ndjekur në mënyrë të drejtpërdrejtë rënien e tregut ndërkombëtar. Gjë që do të thotë se goditja e qeverisë ndaj monopoleve ka funksionuar dhe tregu nuk është më monopol. Qytetarët shqiptarë po përfitojnë nga kjo ulje e çmimit të naftës plot 15 milionë dollarë në muaj lehtësim”, tha ministri Ahmetaj.

Zoti Ahmetaj thotë se ka dhe një fakt tjetër, që sipas tij dëshmon më së miri se si tregu, që dikur ishte monopol, tani është i çliruar.

“Në 2008-n, për 6 muaj, çmimi i naftës në bursë ra nga 142 dollarë për fuçi në 42 dollarë për fuçi, pra me 300 për qind. 1/3-ta e çmimit përfundoi si çmim bazë, ndërsa në tregun tonë nuk u reflektua kjo rënie, por pati vetëm një ulje të papërfillshme. Kjo tregon se tregu ishte monopol i drejtpërdrejtë dhe qytetarët paguanin çmime abuzive”, shpjegoi më tej Ahmetaj.

Kreu i Ekonomisë thotë se Shqipëria nuk i ka çmimet e karburanteve më të larta se të rajonit, dhe as taksat, nëse merret parasysh fakti që vendet e tjera e paguajnë taksën e qarkullimit tek automjetet. Në Shqipëri, kjo taksë u zhvendos te karburanti në vitin 2011, nga ish-qeveria e djathtë.

“Të gjithë vendet e rajonit taksën e qarkullimit nuk e kanë te vlera e litrit të naftës, por e kanë te regjistrimi i makinave. Kjo është një nga arsyet përse ekziston ajo diferencë e vogël mes çmimit shqiptar dhe atij të rajonit. Por, e vërteta është se ne, jo vetëm që jemi në mesataren e rajonit ndoshta edhe më lirë, nëse spostojmë taksën e qarkullimit nga litri te njësia, pavarësisht se ne nuk duam të vendosim asnjë taksë të re mbi njësitë motorike”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Opozita thotë se taksa e qarkullimit, që vendosi ajo kur ishte në qeveri, ishte vetëm 7 lekë për litër dhe që nga ajo kohë u rrit edhe me 20 lekë të tjera. Por Ahmetaj ka një tjetër version.

“T’i tregojnë shqiptarëve vendimin e tyre të asaj kohe, kur transferuan taksën e qarkullimit nga njësitë motorike te litri i naftës. Vendimin që, pasi e bënë 7 lekë, po në të parashikuan edhe rritjen e vazhdueshme me 10 lekë të tjera. Të jenë të sinqertë me shqiptarët dhe të mos luajnë një farsë”, tha Ahmetaj.

Prej disa ditësh, çmimi i naftës është shndërruar në një nga argumentet më të nxehta të debatit politik. Opozita ka paralajmëruar se do të dalë në protestë, duke i kërkuar qeverisë që të ulë çmimin e naftës.

Top Channel