Kreu i NATO-s Stoltenberg viziton Kosovën: Ushtria, me bashkëpunimin e të gjithëve

23/01/2015 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka qëndruar të premten në Kosovë, ku është pritur nga krerët më të lartë të shtetit. Në takimin me Presidenten Atifete Jahjaga, Sekretari i NATO-s ka biseduar për zhvillimin strategjik të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Stoltenberg, pas takimeve me Presidenten dhe kryeministrin kosovar, tha se NATO ka ndihmuar në përgatitjen e FSK-së për arritjen e kapaciteteve të plota, por sipas tij tani i mbetet Kosovës që të vendosë vetë për ushtrinë e saj. Madje ai shtoi se Kosova duhet të formojë ushtrinë e saj, në dialog me të gjitha komunitetet.

“Ajo që mund të theksoj është se, çfarëdo që ju vendosni të bëni, duhet ta bëni në një mënyrë që nuk krijon tensione të reja dhe nuk i kontribuon mungesës së stabilitetit të mëtejshëm. Duhet të veproni në një mënyrë të tillë, që të ketë pajtimin kombëtar dhe politik. Ju mbetet juve të vendosni, por unë pres që gjithçka ta bëni në një mënyrë që nuk do të minojë progresin, që kemi arritur së bashku në krijimin e stabilitetit, pajtimit dhe paqes”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Kryeministri Isa Mustafa tha se Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë shtrirje në gjithë territorin e Kosovës, pasi ato do të krijohen në konsultim edhe me serbët e Kosovës.

“Po, ne gjithmonë jemi përpjekur dhe do të përpiqemi që çdo institucion i Republikës sonë të ketë shtrirje në tërë territorin e Kosovës. Prandaj, edhe në harmoni me këtë që Sekretari i NATO-s paraqiti sot përpara nesh, ne do të bëjmë përpjekje që të arrijmë pajtueshmërinë e brendshme, të të gjithë qytetarëve, të të gjitha subjekteve përfshi ato të serbëve, që Forcat e Armatosura të Kosovës të bëhen me pëlqimin e plotë, në interes të të gjithëve dhe të shtrihen në tërë territorin. Për këtë do të punojmë”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Sekretari i NATO-s Stoltenberg ka takuar ndaras edhe zëvendëskryeministrin, Hashim Thaçi, si dhe ministrin e Forcës së Sigurisë. Ai i ka lavdëruar institucionet kosovare për luftimin e terrorizmit. Sekretari i NATO-s ka takuar në Prishtinë edhe pjesëtarët e KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë.

Top Channel