Luftimet në Ukrainë, Putin: Përgjegjësi e “urdhrave kriminalë” të Kievit

23/01/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka fajësuar “urdhrat kriminale” të udhëheqësve ukrainas, si shkak të nxitjes së luftimeve në lindje të Ukrainës, ndërsa separatistët e mbështetur nga Rusia, me një ton thuajse luftarak kanë përjashtuar mundësinë për të tjera bisedime paqeje.

Komentet e Putinit dhe ato të liderit kryesor të separatistëve tregojnë edhe njëherë ashpërsimin e pozicioneve të mbajtura në një konflikt, ku sipas zyrave të të drejtave të njeriut në OKB thuhet se janë vrarë mbi 5 mijë njerëz, përfshi 262 gjatë 9 ditëve të fundit.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim, lideri i rebelëve Alexander Zakharchenko, tha se forcat e tij do të vijojnë një tjetër ofensivë, ndërkohë që Putin rrezatoi një mospërfillje ndaj krizës, që sipas një zyrtari rus mund të jetë “plagë që do të rrjedhë gjak për dekada të tëra”.

“Autoritetet e Kievit kanë dhënë një urdhër zyrtar për të nisur një operacion ushtarak të shkallës së gjerë, praktikisht përmes të gjithë linjës së kontaktit të vendosur me rebelët. Rezultati është dhjetra të vrarë e të plagosur, jo vetëm mes ushtarakëve të të dyja palëve, por edhe mes civilëve”, tha Putin përpara zyrtarëve të lartë të shtetit në një deklaratë televizive.

“Ata që japin të tillë urdhra kriminalë duhet të jenë përgjegjës. Njerëzit që po bëjnë këtë duhet ta dinë se nuk ka asnjë rrugë tjetër për të zgjidhur konflikte të tilla, përveç se bisedimet për paqe dhe masat politike”.

Putin qortoi gjithashtu Presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, për mospërgjigje ndaj propozimit të tij për të tërhequr armatimet e rënda nga vija e caktuar kufitare mes forcave qeveritare të Kievit dhe separatistëve, si një hap drejt implementimit të armëpushimit.

Poroshenko tha më herët gjatë javës se Rusia ka 9000 trupa brenda në Ukrainë dhe i bëri thirrje Moskës t’i tërhiqte ata, madje duke e akuzuar atë për një agresion të armatosur. Moska mohon të ketë dërguar trupa dhe armatime në lindje të Ukrainës, pavarësisht atyre që Perëndimi i konsideron si prova të pakundërshtueshme.

Poroshenko tha se trupat e tij janë duke ruajtur vijën e kontaktit me separatistët, pasi u tërhoqën këtë javë nga terminali kryesor i aeroportit të Donjeckut, qytetit më të madh të lindjes, duke pësuar kështu një “humbje” simbolike dhe morale.

Zyra për të Drejtat e Njeriut në OKB tha se konflikti, i cili ka nisur në lindje të Ukrainës më shumë se 9 muaj më parë, ka hyrë tashmë në “periudhën e saj më vdekjeprurëse”, që pasi u arrit armëpushimi i shtatorit të kaluar.

Top Channel