Ukraina, Stoltenberg: Do të takohem me Lavrovin në shkurt

23/01/2015 00:00

Vetëm një ditë pas njoftimit të komandantit suprem të NATO-s, Philip Breedlove, se duhen rikthyer kontaktet mes përfaqësuesve të aleancës dhe Rusisë, ka ardhur edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg ka bërë të ditur të premten se është gati të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, muajin e ardhshëm në Mynih, për të biseduar mbi përshkallëzimin e luftimeve në lindje të Ukrainës.

Separatistët e mbështetur nga Moska në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut kanë përjashtuar në të njëjtën ditë mundësinë e të ulurit për të tjera bisedime paqeje, duke thënë se do të vijojnë me një ofensivë të re për të zmbrapsur forcat qeveritare dhe për të rikuperuar territor ndaj tyre.

Në një intervistë me “Reuters”, Stoltenberg e përshkroi si “një rritje substanciale të mjeteve të rënda luftarake ruse” në Ukrainë, furnizime këto që po nxisin edhe më tepër një konflikt nga i cili Kombet e Bashkuara thanë se janë vrarë mbi 5000 vetë, përfshi edhe 262 gjatë 9 ditëve të fundit.

“Ne flasim për tanke, mjete të blinduara, artileri të rëndë, sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore”, tha Stoltenberg gjatë një vizite në Kosovë, ku NATO ka ende 5000 forca paqeruajtëse.

Ai tha se do të zhvillonte bisedime me Lavrovin gjatë muajit të ardhshëm. Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-ve, njëkohësisht edhe komandanti suprem i NATO-s në Europë, Philip Breedlove, tha gjatë së enjtes se udhëheqësit ushtarakë të aleancës atlantiko-veriore duhet t’u rikthehen kontakteve me homologët rusë, pas disa muajsh tensioni për shkak të krizës në Ukrainë.

“Mund të konfirmoj se Lavrov deklaroi pak ditë më parë, se jemi të gatshëm të takohemi me njëri-tjetrin në prag të konferencës së Mynihut”, tha Stoltenberg, duke iu referuar konferencës së përvitshme të sigurisë në Mynih të Gjermanisë, më 6-8 shkurt. Por, ai nuk dha asnjë detaj mbi axhendën e takimit.

I pyetur në lidhje me Irakun, ku luftëtarët islamikë të Shtetit Islamik kanë pushtuar pjesë të tëra territori, Stoltenberg tha se NATO do të takohet me një delegacion të qeverisë irakiane “brenda pak ditësh”.

“Jemi duke konsideruar një kërkesë prej qeverisë irakiane për t’i ndihmuar ata në rritjen e kapaciteteve të tyre mbrojtëse dhe aftësive të tyre për të luftuar terrorizmin e militantëve të ISIS në vendin e tyre”, tha ai. “Do të ulemi në tryezë me ta dhe do të diskutojmë se si mund të punojmë së bashku, apo të vlerësojmë ndihmën dhe asistencën e NATO-s”.

Top Channel