Maqedoni, vazhdon greva e arsimtarëve pavarësisht presionit të pushtetit

23/01/2015 00:00

Greva e mësuesve në Maqedoni ka hyrë në ditën e katërt. Nga Sindikata e Arsimit dhe Shkencës thonë se, edhe përkundër presioneve nga pushteti, në grevë janë përfshirë mbi 70% të shkollave fillore dhe atyre të mesme.

Kreu i Sindikatës, Jakim Nedelkov, tha se procesi mësimor nuk do të fillojë deri kur Ministria e Arsimit të pranojë kërkesat për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies.

“Greva e mësuesve nuk do të ndërpritet, për sa kohë anëtarësia nuk e kërkon një gjë të tillë nga Këshilli dhe kryetari i Sindikatës. Pushteti duhet ta ketë të qartë, se nuk do të ketë sukses me presionet ndaj mësuesve dhe me propagandën në media, se me gjasa greva ka dështuar. Këto veprime vetëm sa po rrisin masivitetin e grevës”, tha Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës.

Ministria e Arsimit nuk ka dhënë ende përgjigje për kërkesat e Sindikatës, ndërsa është në kërkim të mësuesve të rinj për të zëvendësuar arsimtarët grevistë.

Kërkesat kryesore të Sindikatës së Arsimit dhe Shkencës kanë të bëjnë me rritjen e pagave për mësuesit me 25 për qind dhe anulimin e gjobave ndaj tyre.

Top Channel