Protesta kundër Jabllanoviçit merr karakter mbarëpopullor. Ambasada amerikane paralajmëron

23/01/2015 00:00

Protesta e thirrur për ditën e shtunë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe shoqata “Thirrjet e Nënave”, kundër deklaratave të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviç, tashmë ka marrë karakter mbarëpopullor.

Protesta me moton “Jabllanoviç jashtë, Trepça është e jona” do të jetë edhe një formë kundërshtimi për zhvillimet e fundit në lidhje me Kombinatin Trepça dhe dëshirën e Serbisë për ta futur atë në bisedimet e Brukselit.

“Protesta tashmë ka marrë karakter gjithëpopullor, si për nga shtrirja territoriale, po ashtu edhe nga gjithëpërfshirja që i është bërë protestës së të shtunës. Tashmë mund të themi se, të paktën në dhjetë vitet e fundit, është i vetmi moment politik ku ka pasur organizme të protestave pothuajse në të gjitha Komunat e Kosovës, nga subjektet e ndryshme politike, shoqëria civile dhe organizata të tjera, të cilat e kanë kundërshtuar fuqishëm deklarimin fashist dhe kanë kërkuar shkarkimin e ministrit Jabllanoviç. Ndërsa në anën tjetër kanë kërkuar që Trepça të jetë ndërmarrje publike”, tha Dardan Molliçaj, sekretar organizativ i VV.

Protestën do ta përkrahin edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, Klubi politik i Studentëve, Rrjeti i Grave etj.

Në anën tjetër, zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Baki Kelani, tha për Top Channel se Policia e Kosovës ka përgatitur planet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Kelani shtoi se do të ketë një numër të mjaftueshëm të forcave policore, me qëllim mbarëvajtjen e qetë të protestës.

Protesta fillon të shtunën në orën 14, para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, për të vazhduar drejt sheshit “Nëna Terezë” dhe për t’u ndalur para Qeverisë së Kosovës.

Ambasada amerikane, komunikatë paralajmëruese për demonstratën

Ambasada amerikane në Prishtinë informon qytetarët amerikanë atje, që të qëndrojnë larg zonave të demonstratave, ose të kenë kujdes të shtuar pranë turmave protestuese në Kosovë.

Në një komunikatë, ku citohen raportimet mediatike për demonstratën e 24 janarit në Prishtinë dhe vendndodhja së bashku me kohëzgjatjen e saj, thuhet se edhe pse demonstratat mund të jenë paqësore, ato mund të shndërrohen në konfrontuese dhe të përshkallëzohen në dhunë.

Top Channel