Kosovë, ja përmbajtja e ligjit kundër luftëtarëve

23/01/2015 00:00

Projektligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës ka për qëllim parandalimin e pjesëmarrjes së kosovarëve në formacionet e jashtme paraushtarake, të çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit.

Ky ligj do të zbatohet ndaj çdo personi, i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat, ose grupe personash, me qëllim bashkimin apo pjesëmarrjen në ushtritë apo policitë e huaja.

Por, dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen ndaj shtetasve të Kosovës, të cilët kanë edhe nënshtetësi të huaj dhe janë pjesë e ushtrisë ose formacionit ushtarak të tyre, ose shërbejnë në formacionet ushtarake nën kontrollin e qeverive ndërkombëtarisht të pranuara apo organizatave ndërkombëtare.

Sipas nenit 3 të ligjit, kushdo që organizon, rekruton, udhëheq apo trajnon, personat ose grupet e personave, me qëllim pjesëmarrjen në ushtrinë ose policinë e huaj, dënohet me burgim prej 5 deri në 15 vite burg.

Po ashtu, kosovarët që do të kapen duke kërkuar fonde, apo mjete tjera për luftërat jashtë vendit, do të dënohen me burgim prej 3 deri në 15 vite burg. Edhe kosovarët që tashmë ndodhen në luftëra të huaja, sipas këtij ligji do të dënohen me burgim prej 3 deri në 15 vite.

Ligji parashikon dënime deri në 5 vite burg edhe për ata kosovarë që, në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuale nëpër rrjete sociale, nxisin vajtjen e kosovarëve në luftëra jashtë vendit.

Pika 7 e nenit 3 të ligjit u jep mundësi kosovarëve, që kanë informacione dhe janë të përfshirë në organizime apo luftëra jashtë vendit, që të denoncojnë grupet dhe individët, për çka edhe mund të lirohen nga vepra penale që kanë kryer.

Neni 4 i ligjit sqaron se vepra penale e përcaktuar me këtë ligj konsiderohet krim i rëndë dhe ndjekja penale e atyre, që e kanë kryer këtë vepër penale, është në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Top Channel