Një “Pasdite” me Arif Zyberin

23/01/2015 00:00

I ftuari i radhës në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’ ishte vokalisti i një prej grupeve më të famshme dhe të suksesshme shqiptare. Në një intervistë të gjatë, këngëtari Arif Zyberi foli për karrierën e gjatë të grupit Elita 5, projektet e ardhshme, familjen dhe marrëdhënien me anëtarët e bandës.

Muzika – Jemi prej 30 vitesh bashkë dhe jemi ende ata që e kemi filluar. Nuk kemi ndërruar asnjë anëtar. Është kënaqësi që këngët tona pëlqehen nga publiku dhe ky është fryti i punës sonë gjatë gjithë këtyre viteve. E kemi nisur si një hobi, por na u kthye në profesion pas disa vitesh. Është kënaqësi kur krijon dhe ajo që ti krijon pëlqehet nga njerëzit.

Familja – Pa mbështetjen e saj nuk do të kisha këtë karrierë që kam pasur. Shpesh udhëtoj dhe barra i mbetet bashkëshortes sime. Ajo kujdeset për gjithçka, është shtylla e shtëpisë. Kemi 25 vite të martuar dhe nuk ka xhelozi mes nesh.

Koha e lirë – Është profesion dinamik dhe nuk na ngelet shumë kohë e lirë. Lodhja bën të vetën dhe të amortizon paksa. Ka raste kur mendon të tërhiqesh, por shumë shpejt rikthehet dëshira për të qenë përballë publikut.

Kënga e preferuar – “Nuk jam Al Kapone”, besoj se është kënga që e ka bërë të famshëm grupin tonë.

Marrëdhënia me anëtarët e tjerë të bandës – Përpara qëndronim edhe më shumë me njëri-tjetrin, por me krijimin e familjeve, takimet pas koncerteve janë më të rralla. Tashmë, kur kthehemi në shtëpi pas koncerteve, qëndrojmë me familjen. Edhe fëmijët tanë njihen me njëri-tjetrin dhe kanë marrëdhënie të mira. Jemi nga një qytet dhe duke qenë afër njëri-tjetrit jemi bërë si një familje e madhe.

Projektet e ardhshme – Një koncert të madh me filarmoni. Të shohim a do realizohet apo jo. Gjithashtu, dua të bëj dhe një duet me vajzën time. Elita këndon shumë bukur dhe prandaj do e bëj.

Top Channel