Përcillet monarku saudit, pasardhësi zotohet për të vijuar të njëjtat reforma

23/01/2015 00:00

Mijëra njerëz u mblodhën në Riad për t’i dhënë lamtumirën Mbretit Abdullah të Arabisë Saudite. Trupi i tij u përcoll nga xhamia drejt varrezave, i shoqëruar nga një grup burrash sauditë të veshur me veshjet e tyre tradicionale.

Ceremonia ishte e thjeshtë. Ngushëllimet për humbjen e Mbretit Abdullah erdhën nga të gjitha anët e globit. Bahreini, Jordania dhe territoret palestineze e shpallën ditë zie të premten. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara e vlerësoi atë për nismën e paqes, duke i dhënë fund konfliktit arabo-izraelit.

Gjithashtu, Presidenti amerikan Barack Obama e cilësoi udhëheqjen e Mbretit Abdullah, si një forcë të nevojshme në mesin e kombeve arabe dhe islamike.

Ndërsa pasues i fronit është vëllai i tij më i vogël, Salman. Pas homazheve, në pallatin mbretëror u mblodhën përfaqësuesit më të lartë, që i bënë nderimin Mbretit të ri. 79-vjeçari Salman njihet si një nga reformatorët më të mirë të elitës në vend. Ai ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministër i Arabisë Saudite, një aleat jetik i amerikanëve për çështjen e Lindjes së Mesme, për vite me radhë.

Salman e mori kurorën në një moment kritik për Arabinë. Vendi tani e gjen veten mes kërcënimit në rritje të Al Kaedës në Jemen, nga jugu, dhe Shtetit Islamik, në veri. Ndërkohë që edhe qeverisja e re ka sfidat e saj, pasi asaj do t’i duhet t’i japë zgjidhje çështjes së papunësisë në rritje.

Top Channel