Takim trepalësh mes Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë

23/01/2015 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë në Romë ku fillimisht takoi homologun e tij italian Paolo Gentiloni.

Dy ministrat diskutuan disa nga temat më aktuale të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe të rajonit në përgjithsi. Emigracioni, energjia, transporti, tërheqja e investuesve qenë vetëm disa nga temat e takimit dypalësh.

Shefat e diplomacisë së Romës dhe Tiranës biseduan edhe mbi aktet e fundit terroriste në Francë dhe vendosmërinë për të luftuar çdo formë dhe shfaqje terrorizmi.

Marrëdhëniet e dy vendeve, të cilësuara si të shkëlqyera u konfirmuan edhe nga vullneti i palës italiane për të organizuar brenda një viti një mbledhje të përbashkët mes dy qeverive.

Më pas u zhvillua takimi i parë tripalësh mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë së Romës deklaroi Shqipëria dhe Serbia janë vende kyçe në rajonin e Ballkanit dhe janë shumë të rëndësishmë për Italinë e cila mbështet aspiratat e tyre për të hyrë në Europë.

Prandaj sipas tij ky takim i parë tripalësh është një mesazh i qartë edhe për Europën dhe në një farë mënyrë synon të konfirmojë rolin e Italisë në krijimin e një klimë sa më të favorshme bashkëpunimi në rajon.

Top Channel