Lufta kundër evazionit fiskal. U bllokohet aktiviteti, 15 kompani nafte vendosin matësat

23/01/2015 00:00

Dogana shqiptare pezulloi aktivitetin ekonomik të 15 kompanive të prodhimit dhe përpunimit të naftës, pasi nuk ishin pajisur me aparatura matëse për të deklaruar sasinë reale të naftës së prodhuar.

Drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali, tha se ky detyrim ligjor nuk është zbatuar prej vitesh, duke krijuar mangësi në kontrollin e sasisë së naftës së prodhuar dhe stokuar në vend.

“U krye bllokimi i aktivitetit të tyre në sistem, duke bllokuar plotësisht aktivitetin e tyre ekonomik. Menjëherë këto subjekte të bllokuara kanë reaguar, duke bërë porositjen dhe blerjen e këtyre pajisjeve matëse, si hap i parë i vendosjes së kontrollit të Doganës shqiptare mbi biznesin e prodhimit, përpunimit dhe stokimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, u shpreh Elisa Spiropali, drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.

Spiropali paralajmëron se ky aksion pritet të shtrihet edhe në sektorë të tjerë të prodhimit të produkteve vendase të akcizës, industrinë e prodhimit të birrës dhe pijeve alkoolike.

Këto nisma u bënë publike gjatë prezantimit të reformës në Administratën Doganore dhe Sistemin Antikorrupsion të implementuar gjatë kësaj periudhe në doganat shqiptare, strategji që sipas zonjës Spiropali synon forcimin e aftësisë së Administratës Doganore për minimizimin e mundësisë për korrupsion brenda sistemeve.

Më pas u prezantua aplikimi i testit të integritetit për punonjësit e Administratës Doganore i hartuar nga ekspertët e Crown Agents që asistojnë Doganën.

Në fund u shpërndanë certifikata merite në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Doganave për biznese, dhoma tregtie dhe institucione ndërkombëtare të spikatura që punojnë ngushtësisht me doganën.
 

Top Channel