Rama inspekton punimet në Kavajë; ndan edhe legalizimet

23/01/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama u rikthye në Kavajë për të riparë punimet e nisura nga bashkia e këtij qyteti disa muaj më parë.

Kryebashkiaku Elvis Rroshi i shpjegon Kryeministrit rëndësinë që merr rruga dalëse në drejtim të Rrogozhinës 2.5 km e gjatë.

“Rruga është në përfundim dhe presim me shpresë që të hapë koha dhe të fillojmë asfaltimin e kësaj rruge. Rruga i shërben qytetit të Kavajës, biznesmenëve të këtij qyteti, është një rrugë e lënë në harresë prej 30 vjetësh”, tha kryebashkiaku Elvis Roshi.

Po ashtu Rama inspektoi edhe punimet në sheshin qendror të qytetit. Ai interesohet për detajet, mes tyre edhe edhe për momumentin e demokracisë i cili u hoq për efekt të punimeve.

Ndalesa e radhës e Kryeministrit ishte në familjen e një personi me aftësi të kufizuar për t’i dorëzuar çertifikatën e pronësisë së shtëpisë.

Më pas gjatë një takimi me qytetarët e Kavajës, Rama shpërndau çertifikatat e legalizimeve. Ai tha se në 8 vitet e qeverisjes së demokratëve, të cilët për 20 vjet morën votën e kavajasve, dhanë vetëm 461 legalizime,  80% e të cilave ishin biznese, ndërsa sot, theksoi Rama, japim 500 çertfikata për banesa, të cilat janë rezultat i një pune në më pak se një vit.

Kryeministri u ndal edhe në debatin e ditëve të fundit për çmimin e naftës.

“Thonë hiqni taksat! E para punës njëherë, në Shqipëri brenda çmimit të naftës janë edhe dy taksa të tjera, të cilat vendet e tjera i kanë veç. Kjo do të thotë se nuk është e vërtetë që në vendet e tjera nxirret nga xhepi më pak. ky nuk është një vendim që e kemi marrë ne, është një vendim që e kanë marrë ata që bëjnë sot llafe dhe është një vendim i drejtë që kanë marrë që e kanë vënë brenda çmimit të naftës. Kështu po e bëjnë edhe vendet e tjera sot. Nëse këtu tek ne të gjitha paguhen brenda çmimit të naftës, në vendet e tjera paguan veç taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit dhe po t’i shtosh, llogaria është shumë e thjeshtë”, deklaroi Rama.  

Top Channel