Mustafa, takim me sindikatat dhe bizneset: Zgjidhja e problemeve jo përmes rrugës

23/01/2015 00:00

Krerët e Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar të premten një takim me përfaqësuesit e Sindikatave të Punëtorëve dhe të Bizneseve, si dhe ata të odave ekonomike të Kosovës, njofton zyra për shtyp e kryeministrit.

Në takim kanë marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, ministrat përkatës, përfaqësuesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, të Sindikatës së Minatorëve, të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të Odës Ekonomike të Kosovës, të Odës Ekonomike Amerikane, të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe të Agjencisë Kosovare të Bizneseve.

Gjatë takimit janë trajtuar me konstruktivitet zhvillimet kryesore të fundit në Kosovë.

Përfaqësuesit e sindikatave, odave ekonomike, si dhe të Qeverisë së Kosovës janë dakordësuar për vazhdimin e dialogut ndërmjet tyre, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve që lidhen me proceset ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Po ashtu është shprehur besim i ndërsjelltë për zgjidhjen e duhur të të gjitha çështjeve përmes dialogut, duke u pajtuar se rruga nuk është mjeti i duhur, për zgjidhjen e vështirësive e problemeve që mund të hasen.

Nga ana tjetër, kjo zyrë ka publikuar edhe axhendën e kryeministrit Isa Mustafa për të shtunën, ku vihet re se gjatë kohës së protestës në Prishtinë, Mustafa do të ndodhet në Pejë, për një vizitë në Poliklinikën Stomatologjike të qytetit.

Top Channel